Për shkak të situatës në vend me përhapjen e koronavirusit të ri, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njofti se ka vendosur që të shtyjë mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Podujevës, që ishin paraparë të mbaheshin më 15 mars.
“Në mbështetje të nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (GZ, nr. 47, 25 janar 2009), nenit 4 të Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës (GZ, nr. 32, 15 qershor 2008), si dhe duke marrë parasysh kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të pranuar nga Zyra e Presidentit më 14 mars 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës ka nxjerr vendim për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Presidenca njofton se data e re e mbajtjes së zgjedhjeve në Podujevë do të caktohet më vonë, pas vlerësimit të gjendjes epidemiologjike dhe vlerësimit se është situatë e sigurt për mbajtjen e votimeve.
Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës pasuan emërimin e ish-kryetarit, Agim Veliu në postin e ministrit të Punëve të Brendshme.
Pas konfirmimit të rasteve me koronavirus në Kosovë, autoritetet kanë marrë një sërë masash, me qëllim që të parandalojnë përhapjen e këtij virusi.