Barazia gjinore është ende në nivele të pakënaqshme në Maqedoninë e Veriut, thonë drejtuesit e shoqatave që merren me të drejtat e gruas dhe përmirësimin e statutit të tyre në shoqëri.
Sipas tyre, gratë ende luftojnë për barazi ekonomike, politike dhe sociale me burrat ndërsa nuk paguhen si burrat edhe pse bëjnë të njëjtën punë. Vërejtjet kryesore i kanë për industrinë e tekstilit ku sipas tyre, shkelja e të drejtave të gruas është më e theksuar.
“Atyre nuk u paguhet puna që bëjnë në ditët e festave, nuk u paguhet puna që bëjnë jashtë orarit të punës. Nuk janë të evidentuar nga entet e punësimit. Nuk kemi angazhim sa duhet të inspektorëve të punës për të hetuar apo mbikëqyrur se sa respektohen të drejtat e punëtorit. Ne synojmë që përmes organizatave të pavarura sindikaliste të përmirësojmë këtë gjendje të rëndë”, thotë Kristina Ampeva, kryetare e shoqatës “Zëri i punonjësve të tekstilit”.
Në pozitat e larta politike dhe vendimmarrëse gratë janë shumë pak të përfaqësuara, thotë Tanja Tomiç, njohëse e çështjeve të barazisë gjinore.
“Ka edhe një numër të madh të problemeve që duhet kushtuar vëmendje, përfshirë edhe përfshirjen e tyre në politikë në funksione ekzekutive. Për përfaqësim në Kuvend ka kuota dhe ato detyrimisht se duhet të respektohen, por në organet tjera ekzekutive, si në qeveri, pushtetin lokal, drejtimin e ndërmarrjeve shtetërore e publike, aty nuk kemi kuota dhe gjendja është e palakmueshme”, thotë Tomiç.
Nga 81 komuna sa ka Maqedonia e Veriut, vetëm gjashtë kryetare janë gra. Në Kuvendin prej 120 anëtarësh, 47 deputete janë gra edhe atë falë ligjit që detyron partitë që në listat e tyre të kenë 30 për qind kandidate femra. Nga 25 anëtarët e qeverisë, 5 janë gra. Nga dhjetëra parti politike, vetëm një prej tyre udhëhiqet nga grua.
Legjislacioni që garanton barazinë gjinore është avancuar edhe atë falë ligjvënësve dhe shoqatave të grave, por zbatimi i këtyre të drejtave kërkon angazhim serioz.
Me kërkesën për të përmirësuar gjendjen e të drejtave të grave kohë më parë u mbajt edhe një marsh organizuar nga shoqata të ndryshme. Ato kërkojnë forcimin e mekanizmave të kontrollit për avancimin e pozitës së gruas.
“Në përgjithësi, barazia gjinore nuk është në nivelin e duhur, nuk jemi të kënaqura. Nëse shikojmë anën e legjislaturës, kushtet janë formuar, pra kemi mekanizma institucional që do luftojnë pabarazinë gjinore, mirëpo ato nuk funksionojnë”, thotë Gjynere Nebiu, drejtuese e shoqatës “Antiko”.
Barazia gjinore dominon edhe në fushatën elektorale të partive politike për zgjedhjet e 12 prillit. Të gjitha partitë zotohen se do t'i japin mundësi të barabarta grave edhe pse premtimet të tilla kanë në çdo cikël zgjedhor, por që nuk janë përmbushur asnjëherë.
Lidhja Social-Demokrate ka bërë të ditur se listat e saj për deputetë do të jenë 50 me 50, apo gjysma e kandidateve do të jenë gra.
“Të gjitha vendimet do të miratohen bashkërisht, me një zë ashtu siç i ngjan një shteti demokratik. Për këtë jemi angazhuar dhe këtë do ta bëjmë”, ka deklaruar nënkryetarja e LSDM-së, Milla Carovska.
Edhe partitë shqiptare thonë se prioritet do t’i jepet përfaqësimit të gruas në të gjitha institucionet vendimmarrëse ndërsa nga VMRO DPMNE-ja lavdërohen duke theksuar se “nominimi i Gordana Jankullovskës si kandidate për presidente të shtetit në zgjedhjet e kaluara, dëshmon se VMRO-ja kuadrot e saj i zgjedh në bazë të aftësisë për të drejtuar institucionet dhe jo në bazë të përkatësisë gjinore. Gruaja ka pasur dhe do të ketë vend të rëndësishëm në vendimmarrje”.