Ndërlidhjet

Konfirmohen rastet e para me koronavirusin e ri në Bosnje dhe Hercegovinë


Ilustrim
Ilustrim

Bosnje dhe Hercegovina ka konfirmuar rastet e para me koronavirusin e ri, konfirmoi ministri i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Republikës Serbe, Alen Sheraniq, në një konferencë për media.

"Bëhet fjalë për një punëtor që ishte në Itali dhe që u kthye në Banja Llukë. Ai u transferua në një qendër klinike. Gruaja e tij, në testim ka dalë negative, por fëmija është pozitiv për koronavirus", tha Sheraniq, duke shtuar se mund të paraqiten më shumë raste.

Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të kujdesen për higjienën personale.

Këshilli i Ministrave i Bosnje dhe Hercegovinës do të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme të enjten për të diskutuar situatën.

Të enjten, edhe Sllovenia konfirmoi rastin e parë me koronavirus.

Në SHBA rritet numri i të infektuarve

Shteti i Kalifornisë në SHBA ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme, pasi u njoftua vdekja e parë nga koronavirusi i ri.

Deri më 5 mars, në të gjithë SHBA-në janë shënuar 11 vdekje.

Viktima është një burrë 71-vjeçar, i cili kishte qenë në një anije, thanë zyrtarët.

Tani, në 16 shtete të SHBA-së, janë të paktën 150 pacientë të raportuar si pozitivë me koronavirusin e ri.

Në të gjithë botën, autoritetet kanë konfirmuar më shumë se 92,000 raste të virusit, nga të cilat më shumë se 80,000 janë në Kinë. Në të gjithë botën, më shumë se 3000 njerëz kanë vdekur, shumica dërrmuese në Kinë.

Dhjetë nga 11 vdekjet në SHBA kanë ndodhur në shtetin Uashington, por një shpërthim të virusit ka pasur edhe në Teksas dhe Nebraska.

Ndërkohë Uashingtoni dhe Florida shpallën gjendje të jashtëzakonshme, gjatë fundjavës, për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit.

Çfarë masa tjera po ndërmjerr SHBA-ja

Qeveria amerikane aktualisht ndalon hyrjen e shtetasve të huaj që kanë vizituar Kinën gjatë 14 ditëve të kaluara.

Nënpresidenti i SHBA-së, Mike Pence, tha të mërkurën se çdo amerikan mund të testohet për koronavirus, nëse urdhërohet nga mjekët.

Për më tepër, Qendra e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi se do të tërheqë kufizimet ekzistuese në testim dhe do të paraqesë udhëzime të reja për të shpejtuar testimin, për ata që kanë frikë se janë të infektuar.

Por, ende ekzistojnë pikëpyetje se si do të mbahet ky premtim, pasi laboratorët e shëndetit publik këmbëngulin, se aftësia e tyre për përpunimin e testeve është e kufizuar, shkruan BBC.

Ekziston edhe çështja e kostos, pas raportimeve se amerikanëve që nuk kanë sigurim shëndetësor u duhet të paguajnë 1,000 dollarë për një analizë.

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi 8.3 miliardë dollarë ndihmë urgjente për të luftuar koronavirusin.

Cila është situata në vendet tjera

Vendi më i goditur jashtë Kinës është Koreja e Jugut, e cila raportoi 516 infeksione të reja të konfirmuara të mërkurën, duke e çuar në 5,766 numrin e përgjithshëm.

Numri i të vdekurve në këtë vend është 35.

Australia ndërkohë ka ndaluar hyrjen për të gjithë shtetasit e huaj nga Koreja e Jugut. Dy njerëz kanë vdekur nga koronavirusi në Australi, dhe 53 të tjerë janë raportuar si të infektuar.

Ndërkohë, Kina ka raportuar 139 raste të reja dhe 31 vdekje, të gjitha në provincën Hubei, ku ndodhet edhe epiqendra e virusit.

Shkollat janë mbyllur për të paktën 10 ditë në Itali, e cila po lufton me shpërthimin më të madh jashtë Azisë.

Të enjten, Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi se ka ndarë 50 miliardë dollarë për të mbështetur vendet e goditura nga koronavirusi i ri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG