Ndërlidhjet

Konjufca: Nuk kemi informata se Siera Leone e ka tërhequr njohjen


Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca, thotë se ende nuk ka informacione zyrtare, lidhur me pretendimet e Serbisë se Siera Leone e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Këto komente Konjufca i bëri, pasi ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq tha se Sierra Leone e ka çnjohur Kosovën.

“Ne nuk kemi asnjë informacion sa i përket kësaj që ka pretenduar Daçiq. Kjo për ne është e njohur, së paku si fushatë të cilën Serbia nuk e ka ndaluar asnjëherë kundër pavarësisë së shtetësisë së Kosovës”, tha Konjufca për mediat në Prishtinë.

Ministri Konjufca tha se janë rreth 15 shtete, që kanë shprehur dyshimet e tyre lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Sipas informatave, janë diku 12 deri në 15 shtete, që deri tani, i kanë problematizuar raportet diplomatike me Republikën e Kosovës. Sa i përket rastit konkret, asgjë nuk është e sigurt dhe këto janë pretendime të Daçiqit, ne nuk kemi kurrfarë informacioni shtesë në këtë drejtim”, tha Konjufca.

Serbia, tash e një kohë po zhvillon një fushatë për të bindur shtetet që të tërheqin njohjen e Kosovës.

Qeveria e Kosovës e ka kushtëzuar heqjen e plotë të tarifës ndaj mallrave serbe, me ndaljen e lobimit nga ana e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës.

Kryeministri, Albin Kurti, më 27 shkurt, ka thënë se nëse pala serbe dëshmon përkushtimin në ndalimin e fushatës jomiqësore ndaj Kosovës dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave tregtare jotarifore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do ta heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina për një periudhë prej 90 ditëve.

Por, të martën, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryeministri Kurti, tha se “vullnetit tim të mirë, për heqjen e pjesshme të tarifës, qeveria serbe po i përgjigjet me intensifikim të fushatës së çnjohjeve së pavarësisë së Kosovës”.

“I bëj thirrje Serbisë zyrtare që ta ndalë këtë ofensivë dhe të heqë dorë nga politikat destruktive ndaj Kosovës dhe shtetësisë së saj. Po ashtu, do të kërkoj nga faktorët relevantë ndërkombëtarë, në radhë të parë SHBA-të dhe BE-ja, si ndërmjetësues në procesin e dialogut, ta shtojnë trysninë mbi Serbinë që ta ndërpresë politikën armiqësore ndaj Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Vendosja e tarifës, në fund të vitit 2018, ka shkaktuar ndërprerjen e dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG