Ndërlidhjet

Protesta në Shqipëri, Meta “në mbrojtje të Kushtetutës”


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Mijëra qytetarë janë mbledhur në qendër të Tiranës të hënën, të thirrur nga presidenti i Republikës Ilir Meta, për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe siç u tha, për mbrojtjen e Kushtetutës së Shqipërisë.

Në tubimin e paprecedent të thirrur nga presidenti që zgjati rreth dy orë, u bashkua edhe opozita e Shqipërisë, si dhe artistë e figura publike të vendit. Meta tha se i ka mbledhur qytetarët në rrugë pasi i ka provuar të gjitha rrugët institucionale, por siç tha ai, sistemi i drejtësisë “është i kapur për fyti”.

“Presidenti i popullit kuq e zi ulet në gjunjë vetëm para flamurit dhe popullit kuq e zi, para popullit të shqiponjave. Këtë ta dëgjojnë mirë puçistët vendas dhe organizatat mafioze ndërkombëtare që kërkojnë të shkatërrojnë sovranitetin tuaj”, tha presidenti.

Presidenti Meta në podiumin e vendosur përballë protestuesve firmosi dekretin që ai e quan “kundër grushtit të shtetit”. Ky dekret ka të bëjë me kthimin e ligjit për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i miratuar disa ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë në të cilin thuhet se ata nuk kanë nevojë të betohen para presidentit për të marrë detyrën.

Ai tha se qeveria në krye me Edi Ramën ka afat deri me 15 mars të anulojë këtë ligj, në të kundërtën ai do të nënshkruajë shpërpërjen e Kuvendit dhe rrëzimin e qeverisë.

Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama në një paraqitje të shkurtë para gazetarëve ka thënë se presidenti i Republikës nuk ka kompetenca për të firmosur dekrete të tilla. Ndër tjerash, ai shtoi se presidenti mund të nënshkruajë dekret “për t’i shpallur luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, por Kuvendi nuk do të miratojë një gjë të tillë.

Në rrjetin social Facebook, menjëherë pas protestës, Rama ka publikuar konkluzionet e raportit të progresit, i cili sipas tij riforcon qëndrimin se Shqipëria i ka përmbyshur detyrat dhe meriton hapjen e negociateve. Sipas Ramës, hapen apo jo negociatat, kjo është çështje politikave dhe u takon vendeve anëtare.

Edhe ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim ka reaguar pas protestës. Asaj i kishte rënë në sy kur një moment Ilir Meta mbajti në dorë flamurin amerikan duke thënë se SHBA-të janë partneri kryesor i vendit.

“U habita kur pashë flamurin amerikan në manifestimin e sotëm. Për të shmangur çdo ngatërresë, duam t’ju qartësojmë se përderisa SHBA mbështet të drejtën e tubimeve paqësore, ne nuk kemi asnjë lidhje me manifestimin e sotëm”, shkroi ambasadorja Kim në rrjetin social Twitter.

Presidenti Ilir Meta akuzon qeverinë e Partisë Socialiste të kryeministrit Edi Rama për shkeljen e Kushtetutës së vendit dhe thotë se ai i ka tejkaluar fuqitë e saj.

Kjo protestë dhe tensionimi politik në vend vijnë në ditën kur Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin pozitiv që Shqipëria të nisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Mijëra protestuesit që ishin mbledhur në kryeqytet, u shpërndanë të qetë.

Presidenti Meta, ish-drejtuesi i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, për më shumë se një vit ka qenë një kundërshtar i zëshëm i qeverisë. Ky acarim politik e institucional mes tij dhe kryeministrit të vendit u shpërfaq në kohën kur Meta nuk kishte dekretuar të emëruarin për ministër të Jashtëm të Shqipërisë, zotin Gent Cakaj.

Socialistët, të cilët mbizotërojnë në parlament, kanë filluar procedurat hetimore kundër Metës dhe presin të arrijnë shkarkimin e tij. Ky process është i pari në Shqipërinë post-komuniste, që buron nga përpjekja e Metës për të anuluar zgjedhjet komunale të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga opozita.

Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për Bashkimin Evropian në vitin 2014 prej asaj kohe është duke pritur vendimin e vendeve anëtare të BE-së për të nisur negociatat për anëtarësim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG