Ndërlidhjet

Maqedonia e V. përgatitet për një fluks të mundshëm të migrantëve


Migrantët në kufirin ndërmjet Turqisë dhe Greqisë.
Migrantët në kufirin ndërmjet Turqisë dhe Greqisë.

Autoritetet në Maqedoni të Veriut njoftuan se kanë intensifikuar koordinimin ndërmjet institucioneve, me qëllim që të jenë të përgatitur në rast të ndonjë vale të madhe të migrantëve.

Ky vendim i Shkupit, vjen pas përkeqësimit të gjendjes me migrantë në kufirin ndërmjet Greqisë dhe Turqisë edhe pse autoritetet maqedonase thonë se nuk kanë parë rritje të numrit të migrantëve që kanë hyrë në vend.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë njoftuar se është rritur edhe numri i pjesëtarëve të Armatës që patrullojnë përgjatë vijës kufitare me Greqinë.

Drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Agron Buxhaku, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet janë në gatishmëri në rast të ndonjë vale të re migrantësh dhe sipas tij ata janë në koordinim me Agjencinë e Bashkimit Evropian për kufij, Frontex, por edhe me vendet tjera të BE-së.

“Sot patëm një mbledhje të komitetit drejtues që përbëhet nga pesë ministra dhe unë si drejtor i Qendrës për menaxhim me kriza, për ta vlerësuar situatën. Duhet të theksohet se për dallim nga viti 2015, këtë vit nuk do të ketë fluks masiv, sepse atëbotë ishte hapur e ashtuquajtura ‘Rruga Ballkanike’ dhe tani ajo është e mbyllur. Por, nuk përjashtohet çfarëdolloj presioni nga një numër i caktuar i migrantëve, të cilët për momentin ndalohen në Greqi. Ne jemi duke e ndjekur me shumë vëmendje situatën”, tha Baxhaku.

Jasmina Rexhepi nga organizata joqeveritare LEGIS, tha për Radion Evropa e Lirë se në territorin e Maqedonisë së Veriut nuk vërehet ndonjë valë e theksuar e migrantëve, të cilët si synim kanë që të arrijnë në vendet e Bashkimit Evropian.

“Në bazë të informatave që marrim nga terreni dhe informatat që marrim nga kolegët tanë në Serbi, territorin e Maqedonisë së Veriut e kalojnë dhjetëra migrantë në ditë. Por, ende nuk ka ndonjë valë më të madhe të tyre në drejtim të Maqedonisë së Veriut, si rrjedhojë e tensionit të krijuar në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë”, thotë Rexhepi.

Maqedonia e Veriut u përball me valën më të madhe të migrantëve gjatë vitit 2015 dhe 2016, kur në vend hynë dhjetëra mijëra migrantë përmes rrugës së ashtuquajtur “Rruga Ballkanike”, duke synuar që të arrinin në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Rruga Ballkanike” edhe pse është e mbyllur, forcat e rendit në vazhdimësi ndalojnë migrantë, të cilët përmes rrugëve ilegale synojnë të përdorin Maqedoninë e Veriut si vend transit për në rrugën e tyre drejt BE-së.

Gjatë ditës së diel, Policia e Maqedonisë së Veriut ndaloi 78 migrantë në qytetin e Shtipit, derisa ata po transportoheshin ilegalisht me një kamion me targa të Shkupit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG