Ndërlidhjet

Paraqitja e koronavirusit, masa të veçanta në Maqedoninë e Veriut


Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit
Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit

Pas paraqitjes së rastit të parë me koronavirusin e ri, autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë ndërmarrë të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e gripit.

Janë ndaluar të gjitha ekskursionet nga shkollat dhe institucionet tjera shtetërore ndërsa agjencitë turistike kanë nisur anulimin e prenotimeve jashtë vendit.

Sipas një vendimi të qeverisë, “të gjithë punonjësit në institucionet shtetërore dhe lokale, në arsim e organe tjera shtetërore nëse janë kthyer nga vizitat nga disa rajone të Italisë janë të detyruar të paraqiten në institucionet e shëndetit publik dhe nuk janë të obliguar të shkojnë në punë”.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se gjendja është nën kontroll me gruan e infektuar, por edhe me personat e tjerë që kanë udhëtuar me të gjatë kthimit nga Italia. Sipas tij, të gjithë tashmë janë izoluar për një periudhë të caktuar.

“Ata nuk do t’i nënshtrohen testit pasi qëllimi izolimit është pikërisht verifikimi i gjendjes së tyre gjatë periudhës që do të jenë në izolim pasi testi mund të rezultojë i rrejshëm. Në rast se përkeqësohet gjendja e tyre gjatë 14 ditëve të qëndrimit në izolim, atëherë do të ndërmerren masat adekuate mjekësore”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Edhe një rast tjetër dyshohej të jetë infektuar me koronavirus, por rezultatet kanë dalë negative sikur edhe për dy raste tjera që të mërkurën ishin pranuar me simptome të gripit në Klinikën Infektive në Shkup.

Kryeministri Oliver Spasovski, në një paraqitje para mediave ka bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje nga informacionet e paverifikuara. Institucionet, tha Spasovski, po veprojnë në përputhje të plotë me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Situata është nën kontroll. Të gjitha institucionet janë të gatshme që të reagojnë me kohë. Nuk ka vend për panik. Të gjitha masat që janë ndërmarrë janë në përputhje me të gjitha aktet ligjore. Qytetarët duhet t’i përmbahen të gjitha rekomandimeve që janë dhënë nga Ministria e Shëndetësisë e që kanë për bazë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, ka deklaruar kryeministri, Oliver Spasovski.

Por, derisa institucionet flasin për masat që kanë ndërmarrë, nga opozita kanë dalë me një sërë vërejtjesh në veçanti për gjendjen në pikat kufitare ku sipas VMRO DPMNE-së nuk kanë masa adekuate të kontrollit.

“Koronavirusi mbërriti në Maqedoninë e Veriut ndërsa ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe qeveria e LSDM-së, janë të paorganizuar dhe në gjendje kaotike. Shprehim shqetësimin tonë për mungesën e organizimit dhe kapacitetet e pamjaftueshme që t’i përgjigjen gjendjes serioze në të cilën ndodhemi".

"Edhe pas paraqitjes së rastit të parë me koronavirus, ministri nuk di të tregojë se si gruaja e infektuar ka arritur të paraqitet në Klinikën Infektive. Kjo ngrenë shqetësimin nëse ka ose jo kontrolle në pikat kufitare të vendit", ka deklaruar Dafina Stojanovska nga VMRO DPMNE-ja.

Përkundër apeleve të institucioneve se nuk ka vend për panik, paraqitja e rastit të parë më koronavirus ka bërë që qytetarët të furnizohen me maska mbrojtëse, por edhe me rezerva të ushqimit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG