Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi ka thënë se Komisioni Evropian e ka prioritet integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Është në interesin strategjik të BE-së që ky rajon të jetë pjesë e BE-së”, ka thënë Varhelyi në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Grupit të Vishegradit me homologët e vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosova, Serbia, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Grupin e Vishegradit e përbëjnë: Çekia, Sllovakia, Polonia dhe Hungaria.
Ministri i Jashtëm i Çekisë, Tomas Petriçek, si kryesues i Grupit të Vishegradit tha se zgjerimi i BE-së është mënyra më e mirë për të pasur stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe BE. Ai konfirmoi mbështetjen e Grupit të Vishegradit për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ne do të bëjmë çmos për të bindur edhe vendin e fundit që tregon hezitim. Në veçanti, Varhelyi ka punuar me vendet që hezitojnë të kapërcejnë pengesat dhe shpresojnë për rezultatin pozitiv në samitin e marsit", tha Patriçek.
Megjithatë, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë, nëse ekzistojnë garancitë nga Franca dhe Holanda se në muajin mars do të japin dritën jeshile për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi tha se “ nuk ka garanci të forta në politikë”, megjithatë ai tha se mbështetet në raportin e përparimit të këtyre dy vendeve dhe se shpreson që kjo do të merret në konsideratë dhe do të bindë dy shtetet anëtare që nuk mbështesin hapjen e negociatave.
*Expose: Rruga drejt BE-së, më kërkuese
Në emër të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në takimin e mbajtur në Pragë, foli ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, i cili tha se procesi i integrimit të rajonit në BE nuk është vetëm një përpjekje e qeverive të Ballkanit Perëndimor, por edhe e shoqërive të këtyre vendeve.
“Unë po flas në emër të Ballkanit Perëndimor, vendeve që janë të rrethuara nga vendet anëtare të BE-së. Pjesa më e madhe e ekonomisë sonë është pjesë e ekonomisë evropiane gjithashtu”, tha Dimitrov.
Shefi i diplomacisë maqedonase falenderoi presidencën çeke të Grupit të Vishegradit për përparësinë dhe ndihmën për të mbajtur lartë në prioritetin e BE-së çështjen e zgjerimit.
Ai gjithashtu tha se vendet në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë të bashkuara për një të ardhme të përbashkët evropiane.
"Liberalizimi i vizave për Kosovën është i mirë për të gjithë rajonin, përparimi për Bosnjë dhe Hercegovinë është gjithashtu i rëndësishëm. Ne ende kemi disa dallime në rajon, por ne po punojmë dhe duam t'i zgjidhim ato, por ajo që na bashkon të gjithëve është e ardhmja jonë e përbashkët evropiane", tha Dimitrov.
Vendet e Vishegradit përmes Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit nënshkruan memorandum mirëkuptimi me Fondin e Ballkanit Perëndimor, përmes së cilit këto vende vazhdojnë ndihmën për procesin e integrimit të këtyre vendeve duke ofruar asistencë teknike me fokus në ngritjen e kapaciteteve të shoqërisë civile në këto vende.