Kanë kaluar më shumë se dy javë që nga formimi i Qeverisë së re të Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, por ajo ende nuk ka arritur të funksionalizohet në tërësi. Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se funksionimi i qeverisë me kapacitete të plota si proces është vonuar, ndërkohë në qeveri theksojnë se funksionalizimi pritet të bëhet më së largu deri në fund të javës së ardhshme.
Qeveria e re e koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është formuar më 3 shkurt.
Arbërie Nagavci, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se në ditët në vijim kabineti qeveritar do të jetë i funksionalizuar.
“Meqenëse është reduktuar numri i ministrive dhe në anën tjetër edhe numri i zëvendësministrave është zvogëluar dukshëm, është nevojitur që të ketë një planifikim të mirëfilltë. Nga Lëvizja Vetëvendosje janë caktuar shumica e pozitave dhe besojmë që edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i dërgojë propozimet e saj dhe shpresoj që deri në fund të javës së ardhshme do të kemi një kompletim të kabinetit qeveritar”, tha Nagavci.
Qeveria e re e Kosovës ka 15 ministri dhe dy zëvendëskryeministra, kurse në përbërjen e saj, qeveria pritet të ketë edhe 33 zëvendësministra. Deri më tani janë emëruar disa zëvendësministra, por jo edhe pjesa më e madhe e tyre.
Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, e quan proces të vonuar funksionalizimin e plotë të qeverisë.
Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se deri më tani qeveria është dashur të kompletohet edhe me zëvendësministra si dhe ministrat të kompletojnë kabinetet e tyre.
“Për të kompensuar kohën që është humbur derisa është arritur marrëveshja e koalicionit, unë mendoj që qeveria është dashur shumë më shpejt të procedojë edhe me zëvendësministrat edhe me komplet kabinetin qeveritar, në mënyrë që të kompletohet dhe të fillojë funksionimi i saj dhe punët që i presin në gjithë sektorët e mundshëm që janë në ministritë”.
“Arsyet e vonesave të tillë mund të jenë problemet partiake kur dihet se sa e komplikuar është brenda partive të caktohen zëvendësministrat, pasi që ka shumë njerëz që dëshirojnë të marrin ato pozita dhe partitë nuk mund t’u ofrojë të gjithëve pozita”, thotë Demhasaj.
Në anën tjetër, Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi i kompletimit të qeverisë merr kohë edhe për shkak të ndryshimeve që janë bërë në qeveri, siç është edhe zvogëlimi i numrit të ministrive.
Ajo i arsyeton vonesat, duke pasur parasysh, siç thotë ajo, faktin se po bëhet shkrirja e ministrive, çka kërkon kohë.
"Kjo qeveri ka trashëguar shumë sfida dhe probleme nga qeveria e kaluar. Ne po shohim se vetëm kanë filluar që disa çështje të qeverisë së kaluar të jenë në tryezën e qeverisë së re, pra kemi çështjen e taksës që po shkakton një debat mes qeverisë dhe partive opozitare, ka edhe çështje tjera të cilat po trajtohen me prioritet nga qeveria e re”, thotë Haxholli.
Shkrirja e ministrive mund të zgjasë gjithë vitin
Qeveria e re e koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reduktuar numrin e ministrive nga 21 në 15 sosh.
Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, ka kërkuar në njërën nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës që të vendoset sa më shpejt për fatin e shumë shërbyesve civilë, të cilët tani e kanë të paqartë punën dhe pozitën e tyre, pasi që procesi i shkrirjes së ministrive tashmë ka filluar.
Përfaqësues të shoqërisë civile e shohin sfidë të madhe për qeverinë shkrirjen e ministrive.
Arton Demhasaj thotë se do të ketë probleme për integrimin e stafit nëpër ministri. Ai thotë se secila ministri ka pasur departamente, sekretarë që janë pozita të ngjashme e pozita tjera dhe që problemi do të jetë se si do të bëhet riorganizimi i stafit.
“Unë e shoh si shumë problem shkrirjen e ministrive. Me gjasë ky proces nuk do të mund të përfundojë gjatë tërë këtij viti derisa të gjenden modalitete se si të bëhet dhe derisa të gjejnë mënyra ku t’i dërgojnë punëtorët ku në një mënyrë apo një tjetër i shuhet pozita”, thotë Demhasaj.
Arbërie Nagavci, anëtare e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje thotë se në një periudhë të arsyeshme do ta përfundojnë edhe në riorganizimin e qeverisë.
“Presim që do të ketë sfida, nuk do të jetë e lehtë, pasi që ka ministri të mëdha siç është rasti i Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit Tregtisë, Industrisë. Megjithatë, këto çështje janë diskutuar dhe duke pasur vullnetin që të kemi një reduktim të stafit dhe maksimalizim të punës do të arrijmë në një periudhë të arsyeshme të kemi riorganizimin e të gjitha ministrive duke u siguruar që secili të jetë përgjegjës për sektorë të caktuar në mënyrë që të kryejnë punën për të cilën janë të thirrur”, thotë Nagavci.
Kabineti qeveritar i Kosovës për shkak të zvogëlimit të numrit të ministrive në mbledhjen e fundit të qeverisë ka marrë vendim për krijimin e listës së tepricës me sekretarët e përgjithshëm të ministrive që preken nga riorganizimi i Qeverisë së Kosovës.
Qeveria, ka thënë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, do të angazhohet në shqyrtimin e të gjitha mundësive për angazhimin e sekretarëve në pozita ekuivalente, sipas Ligjit për shërbimin civil të Kosovës.