Numri i vogël i inspektorëve të punës, jo rrallë herë është përmendur si një prej arsyeve të moszbatimit të Ligjit të punës, respektivisht shkeljes së të drejtave të punëtorëve, sidomos në sektorin privat. Për këtë arsye, sipas autoriteteve kompetente dhe përfaqësueseve të punëtorëve, shqetësim kryesor vazhdon të mbetet gjendja e sigurisë dhe mbrojtja e shëndetit të punëtorëve në vendin e punës, pastaj zbatimi kontratave, por edhe numri i madh i punëtorëve që nuk kanë fare një kontratë pune.
Sipas të dhënave zyrtare, si pasojë e nivelit të ulët të sigurisë në punë dhe mungesës së masave mbrojtëse, gjatë vitit 2019, në vendet e tyre të punës kanë humbur jetën 11 punëtorë. Kurse në vitin 2018, në vendin e tyre të punës humbën jetën 22 punëtorë.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Agjencisë se Statistikave të Kosovës (ASK), shkalla e punësimit për tremujorin e tretë të vitit të kaluar, ka qenë 31.6 për qind.
Nga kjo përqindje, sipas anketës së Fuqisë Punëtore të ASK-së, rezulton se rreth 49 për qind të të punësuarve kanë kontrata të përhershme, ndërkaq 51 për qind, kontrata të përkohshme.
Autoritetet inspektuese nuk japin ndonjë përqindje të punëtorëve pa kontrata të punës, por konfirmojnë se gjatë vitit të kaluar kanë legalizuar 1,800 punëtorë.
Duke u nisur nga parregullsitë e raportuara dhe shkelja e të drejtave të punëtorëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka premtuar se qeveria e re të cilën ai e drejton, do të vihet në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve. Për arritjen e këtij qëllimi, ai ka premtuar se do të rrisë numrin e inspektorëve.
Aktualisht në gjithë territorin e Kosovës veprojnë 42 inspektorë të punës, të cilët funksionojnë në kuadër të Inspektoratit të Punës. E në rast se Kurti e përmbushë premtimin e tij, në të ardhmen do të ketë 400 inspektorë të punës që do të përkujdesen për zbatimin e Ligjit të punës.
Ushtruesi i detyrës i kryeinspektorit të këtij institucioni, Valon Leci, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se vazhdimisht i kanë paraqitur shqetësimet për numrin e vogël të inspektorëve.
Ai thotë me rritjen e numrit të inspektorëve, do të ishte më e lehtë të mbikëqyret zbatimi i Ligjit të punës, i cili parasheh trajtim të njëjtë si për punëtorët në sektorin publik, ashtu edhe atë privat.
“Ne do të zbatojmë çdo vendim të qeverisë dhe jemi të inkurajuar si Inspektorat i Punës për nivelin në të cilin është ngritur debati mbi këtë çështje, pra në nivel të kryeministrit. Kjo është inkurajuese dhe shpresoj që çështja e numrit të vogël të inspektorëve t’i takojë historisë”, tha Leci.
Në anën tjetër, udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), e mirëpresin propozimin e kryeministrit Kurti, por thonë se numri prej 400 inspektorëve është jashtëzakonisht i madh.
Avni Ajdini, udhëheqës i BSPK-së, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se e rëndësishme në këtë proces është që inspektorët të përfundojnë punën në mënyrë efikase dhe të ndershme dhe mos të keqpërdorin pozitën e tyre zyrtare.
“Edhe inspektorët që marrin obligimin dhe detyrën për të kryer një inspektim të tillë, ata duhet të jenë shumë të ndershëm dhe të luftojnë korrupsionin. E jo nëse shkojnë në ndonjë organizatë të korruptohen. Këtu është dështimi më i madh i Inspektoratit të Punës”, tha Ajdini.
Sektori privat vazhdon të mbetet punëdhënësi më i madh, por pavarësisht kësaj, sindikatat e punëtorëve në vazhdimësi kanë raportuar për mosrespektim të të drejtave të punëtorëve apo moszbatim të Ligjit të punës.
Idenë e kryeministrit Kurti, për rritjen e numrit të inspektorëve e ka mbështetur edhe ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernavall.
“Shteti i Finlandës është i interesuar që të ndihmoi shtetin e Kosovës në trajnimin e administratës dhe shprehu interesim për idenë e kryeministrit që nga 60 inspektorë të punës sa kemi tani, numri të rritet deri në 400 sosh”, ka thënë ajo.
Kryeministri, Albin Kurti, që në ditën e zgjedhjes së tij në këtë post, më 3 shkurt, ka premtuar se për punëtorët do të ketë më shumë të drejta dhe mbrojtje ligjore të garantuar.
“Programi ‘8 orë punë’ do të promovojmë punën 8 orë në ditë - 40 orë në javë për punëtorët. Për ta arritur këtë synim do ta shtojmë numrin e inspektorëve të punës deri në 400”, ka shkruar Kurti në Facebook.