Ndërlidhjet

Kurti: Zyrtarët që nënshkruan marrëveshjet në Mynih nuk kishin autorizimin e qeverisë


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se zyrtarët kanë nënshkruar dy marrëveshje me Serbinë në Mynih të Gjermanisë, atë për transportin hekurudhor dhe autostrata kanë qenë të autorizuar nga ish ministri i Infrastrukturës në qeverinë e kaluar, Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë së re.

“Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re, as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së”, thuhet në postimin e kryeministrit të Kosovës.

Ai ka sqaruar po ashtu se në procesin e tranzicionit të qeverisjes, qeveria etij është duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë proces ta trajtojnë me prioritet.

Delegacionet nga Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar të premten, në Mynih të Gjermanisë dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe atë për hekurudha përmes së cilave të dy vendet shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.

Nënshkrimi i letrave të interesit ndodhi pak çaste para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Munih.

Marrëveshja për hekurudha dhe autostrada, u arritë me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i cili është edhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në ceremoninë e nënshkrimit kanë marrë pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Për palën kosovare letrat e interesit, përkatësisht marrëveshjet i kanë nënshkruar Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore. Kurse nga pala serbe, të dy marrëveshjet i ka nënshkruar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG