Ndërlidhjet

Senati kufizon fuqitë ushtarake të Trumpit kundër Iranit


Senati i Shteteve të Bashkuara - foto arkivi
Senati i Shteteve të Bashkuara - foto arkivi

Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi një rezolutë që e kufizon autoritetin e presidentit Donald Trump për të nisur operacione ushtarake kundër Iranit.

Rezoluta, e hartuar nga senatori demokrat, Tim Kaine, thotë se Trump duhet të ketë miratimin e Kongresit përpara se të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit.

Tetë republikanë u janë bashkuar demokratëve për të miratuar rezolutën me 55 vota për dhe 45 kundër.

Kaine dhe mbështetës të tjerë thanë se rezoluta nuk i drejtohet Trumpit, porse është një rivlerësim i fuqisë së Kongresit amerikan për të shpallur luftë.

Me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, Kongresi ka fuqinë për të shpallur luftë – jo presidenti.

Trump dhe mbështetësit e tij thonë se rezoluta do t’i dërgojë mesazhe të gabuara Iranit dhe kundërshtarëve të tjerë të mundshëm.

Presidenti pritet të vendosë veto ndaj saj.

Trump, së voni, ka përdorur veton ndaj një rezolute për luftën në Jemen.

Rezoluta e fundit vjen pasi Trump, muajin e kaluar, ka urdhëruar një sulm me dron për vrasjen e komandantit iranian, Qasem Soleimani, pa e informuar Kongresin paraprakisht.

Soleimani, udhëheqës i forcës elitë të Iranit, Kuds, është vrarë në Irak.

Në përgjigje, Irani ka sulmuar me raketa dy baza të ushtarëve amerikanë në Irak.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG