Ndërlidhjet

Pompeo i shkruan Kurtit, taksa dhe njohja e ndërsjellë me Serbinë konsiderohen prioritete


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në një letër se shpreson që prioritete të liderit të ri të jenë heqja e tarifës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, dhe njohja e ndërsjellë me Serbinë.

“Heqja e tarifave në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të jetë e rëndësishme për kthimin e palëve në tavolinën negociuese. Ne shpresojmë dhe presim që ju do ta bëni këtë gjë prioritet dhe do të përfitoni nga momentumi i krijuar pas dy letrave të qëllimit për të krijuar lidhje ajrore dhe hekurudhore në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Pompeo në letrën, të cilën Zyra e kryeministrit ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar.

Ai me këtë rast u është referuar dokumenteve të nënshkruara nga zyrtarë të Kosovës dhe Serbisë, në Berlin, me ndërmjetësim të të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell.

Sa i përket njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, Pompeo ka thënë:

“Tani është koha që të realizoni marrëdhënie normale me Serbinë, që kanë qendër njohjen e ndërsjellë, dhe e cila është thelbësore për integrimin e plotë ndërkombëtar të Kosovës. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë afër jush për t’iu mbështetur në këtë proces”.

Sekretari amerikan ka uruar kryeministrin Kurti për formim të qeverisë së re, duke thënë se Departamenti i Shtetit do të punojë së bashku me të për të përparuar në qëllimet e përbashkëta siç janë: rritja ekonomike dhe sundimi i ligjit.

Letra e Pompeos vjen pak pas formimit të Qeverisë së Kosovës më 3 shkurt.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 7 shkurt se taksën 100 për qind synon ta zëvendësojë me masë të reciprocitetit.

Kurti: Do ta vëmë reciprocitetin dhe do ta heqim tarifën
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:11 0:00

Por, këtë qëndrim nuk e ka përkrahur së fundmi ambasadori Grenell.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin, ka thënë të hënën për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.

“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë”, tha Custin.

"Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit", ka shtuar ai.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti ka thënë më 7 shkurt se nuk duhet lejuar që të ketë sërish dështim në dialog.

“Ne, në parim, jemi për dialog me parime dhe besoj që nuk e kemi luksin që të dështojmë sërish në dialog, prandaj besoj që edhe ekipi i Serbisë edhe yni duhet t'i bëjnë përgatitjet e duhura përmes diskutimeve me Brukselin sa i përket formatit, agjendës, kornizës etj”, ka deklaruar ai.

Dialogu mes këtyre dy vendeve ka nisur më 2011, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Ky proces është pezulluar pas vendosjes së taksës 100 për qind në nëntor të vitit 2018 nga qeveria e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG