Ndërlidhjet

Shfuqizimi i taksës mes përkrahjes ndërkombëtare dhe kundërshtimit të opozitës


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Taksa doganore 100 për qind e vendosur nga qeveria e kaluar e Kosovës për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina po shqyrtohet nga qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti, me synimin që të zëvendësohet me reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar tashmë zëvendësimin e taksës me recipricitet të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë. Për shfuqizimin e taksës ai ka marrë edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, por jo edhe të opozitës në Kosovë.

Përfaqësues të shoqërisë civile të cilët monitorojnë punën e institucioneve të Kosovës thonë se Qeveria e re e Kosovës, taksën doganore 100 për qind mund ta heqin me një vendim të qeverisë, ngjashëm siç ka vepruar edhe qeveria e kaluar kur vendosi këtë taksë.

Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se heqja e taksës doganore ndaj importeve nga Serbia mund të bëhet me anë të një vendimi.

Megjithatë sipas saj, para se të ndodh një vendim i tillë, është me rëndësi që çdo qasje e re ndaj Serbisë të bëhet në mënyrë unike nga ana e gjithë spektrit politik në Kosovë.

“Ajo që duhet të ndodh, nëse qeveria e re vendos të pezullojë taksën për të zëvendësuar atë me masat e reciprocitet ndaj Serbisë, është me rëndësi, meqenëse ka të bëjë me procesin e dialogut Kosovë – Serbi, të ketë një unitet të spektrit politik dhe konsensusit, unitet ky i cili i ka munguar skenës politike deri më tani”, thotë Haxholli.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se heqja e taksës dhe vendosja e reciprocitetit, mundësohet edhe përmes rezolutës së Kuvendit të Kosovës për reciprocitet.

Kurti: Do ta vëmë reciprocitetin dhe do ta heqim tarifën

Kurti: Do ta vëmë reciprocitetin dhe do ta heqim tarifën
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:11 0:00

Në dhjetor të vitit 2011, me propozim të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në atë kohë, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë, e cila në pikën e parë të saj, thoshte se “Qeveria e Kosovës, duhet t’i ndërmarrë masat e reciprocitetit të plotë politik, tregtar ndaj Serbisë”.

Një masë reciprociteti, Qeveria e Kosovës e kishte zbatuar ndaj Serbisë edhe në muajin korrik të vitit 2011, por vendimi ishte zbatuar vetëm për 50 ditë dhe më pas ishte shfuqizuar.

Violeta Haxholli nga KDI e quan reciprocitetin masë të drejtë që mund të vendos Qeveria e re.

“Ajo që kam dëgjuar, që ka paralajmëruar kryeministri, është se ai do ta diskutojë çështjen e reciprocitetit edhe me subjektet opozitare në mënyrë që të arrihet një pajtim se si duhet të veprohet me taksën. Kërkesa për reciprocitet ndaj Serbisë është e drejtë".

"Ka shumë aspekte ku Kosova mund të vendosë reciprocitet ekonomik, tregtar dhe politik, pra ka hapësirë ku mund të vendoset. Para vendosjes së taksës, Serbia nuk i ka njohur disa nga dokumentet e Kosovës, si p.sh kur eksportuesit kosovarë kanë ekspertuar produktet e tyre, por ka edhe çështje tjera ku Kosova mund të vendosë reciprocitet”, thotë Haxholli.

Opozita kundër heqjes së taksës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë një konference për media derisa ka folur për heqjen e taksës dhe vendosjen e masave të reciprocitetit ekonomike, politike dhe tregtare ka thënë se beson që edhe opozita do të pajtohet me masa reciprociteti ndaj Serbisë.

“Unë besoj që edhe ata të cilët sot janë në opozitë ose ata të cilët nuk na votuan mund të mos pajtohen për gjëra ta ndryshme, por për reciprocitetin plotësisht janë dakord”, tha Kurti.

Megjithatë, partitë opozitare janë shprehur kundër heqjes së taksës kurse reciprocitetin ndaj Serbisë e shohin si masë jo të duhur.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu tha për Radion Evropa e Lirë se do të përdoret çdo instrument për të ndaluar vendimin për heqjen e taksës. Ajo tha se opozita do ta thërras edhe në interpelancë kryeministrin Kurti për çështjen e taksës.

“Ende nuk dua të besoj që Kurti të shkoj deri në atë masë që ta heq taksën përderisa a e dinë që shteti i Kosovës nuk përfiton. Në këtë rast me taksën në fuqi kanë fituar prodhuesit vendor, ndërsa ka humbur miliona euro Serbia. Ne do të kundërshtojmë fuqishëm, do të jemi bashkë si opozitë, por jam e sigurt që edhe brenda subjektit të Lidhjes Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje do të ketë deputet që do ta përkrahin që taksa të mbetet në fuqi”, thotë Haxhiu.

Mos-heqjen e taksës e ka kërkuar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ai në një postim në rrjetin social, Facebook ka thënë se taksa 100 për qind ndaj importeve të Serbisë nuk duhet hequr, pasi sipas tij, ai vendim ka qenë dinjitoz për Kosovën.

“Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, ka thënë Veseli në një postim në rrjetin social, Facebook.

Partia e Veselit ka qenë pjesë e koalicionit qeveritar, kur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vendim për taksën në nëntor të vitit 2018.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, cili ka vendosur taksën i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti, të mos e heqë taksën ndaj mallrave serbe.

Përmes një letre drejtuar Kurtit, Haradinaj thotë se "në kundërshtim të Serbisë duhet të jemi bashkë deri në njohje reciproke, e jo të jesh për një reciprocitet pa njohje”.

Përderisa debatet rreth taksës në Kosovë vazhdojnë, thirrje për heqjen e këtij vendimi drejtuar qeverisë Kurti, kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG