Autoritetet shëndetësore amerikane kanë thënë të hënën se do të ndalin testimet e një vaksine eksperimentale në Afrikën Jugore kundër virusit HIV, pasi është kuptuar se ajo nuk ka pasur rezultat.
Studimi, i emëruar, HVTN 702, ka nisur më 2016 dhe ka përfshirë vaksinën e vetme që ka treguar pak mbrojtje kundër virusit që shkakton AIDS-in.
“Vaksina për HIV-in është thelbësore për t’i dhënë fund pandemisë globale dhe ne kemi shpresuar se kjo vaksinë do të funksionojë”, ka thënë Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektuese.
“Fatkeqësisht, ajo nuk ka funksionuar”, ka shtuar mes tjerash ai.
Pjesë e testimit kanë qenë 5,400 vullnetarë që kanë pasur rezultate negative në testin për HIV, në 14 zona të Afrikës Jugore, të moshave nga 18 deri në 35-vjeçare.
Stigmatizimi pengon trajtimin e AIDS-it
Bazuar në të dhënat e pjesëmarrësve përgjatë 18 muajve të testimit, është gjetur se 129 persona janë prekur nga virusi teksa kanë qenë duke marrë vaksinën, andaj testimi është ndalur.
Aktualisht janë duke u zhvilluar një varg testesh tjera për të gjetur vaksinë për këtë virus.
Afrika Jugore është një nga vendet me shkallën më të lartë të të prekurve me HIV, në gjithë botën.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për HIV-in, më shumë se 20 për qind e popullsisë së moshës, 15-49 vjeçare në Afrikën Jugore jeton me HIV, derisa 240,000 persona janë prekur nga ky virus më 2018.