Ndërlidhjet

LDK-ja optimiste për koalicionin me LVV-në


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka diskutuar lidhur me marrëveshjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, para seancës së 3 shkurtit, ku pritet të votohet për Qeverinë e re të Kosovës.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha se mbledhja e sotme është në kuadër të përpjekjeve që të arrihet marrëveshja e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

"Edhe më tutje po angazhohemi që kjo marrëveshje të jetë e balancuar, që i akomodon të dy subjektet e mëdha politike, në mënyrë që t’i hapet rrugë mandatarit që të krijojë koalicion edhe me partitë e pakicave. Finalizimi i marrëveshjes natyrisht që bie mbi përgjegjësinë e dy subjekteve politike, respektivisht të dy liderëve dhe ky angazhim është në funksion të saj", tha Haziri.

I pyetur se a ka sinjale nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e kryeparlamentarit - që po shihet si pengesa kryesore për mosarritjen e marrëveshjes së koalicionit -, Haziri tha se ky dallim ende nuk është tejkaluar.

"Nuk është përballuar ende ky dallim. Gjasa janë të mëdha që Kosova të ketë ekzekutiv dhe përpjekjet nuk do të mungojnë që të arrihet ky qëllim. Ne gjithmonë po flasim për një ekzekutiv LDK-LVV dhe një përfaqësim ku Vetëvendosje e udhëheqë qeverinë dhe LDK-ja kuvendin. Ky është angazhimi ynë i përbashkët.

Para nisjes së takimit, nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani tha për gazetarët se shpreson që sot të përmbyllet gjithçka, sa i përket marrëveshjes së koalicionit me partinë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne mbajmë takime, komunikime çdo ditë. Kështu që po shpresoj që edhe sot gjithçka të përmbyllet, por për momentin jemi në fazën e përpjekjeve”, tha Osmani.

LVV-ja dhe LDK-ja që pas certifikimit të rezultatit zgjedhor në muajin nëntor, kanë zhvilluar bisedime për krijimin e koalicionit qeverisës, por deri më tani nuk kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshje.

Më 26 dhjetor u konstitua përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, 2019, ku kryetar i kuvendit u zgjodh Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 20 janar, ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit.

Sipas Kushtetutës, prej momentit që presidenti mandaton kandidatin për kryeministër, nis edhe rrjedhja e afatit kushtetues prej 15 ditësh për krijimin e ekzekutivit.

LDK-ja gjatë negociatave me LVV-në nuk ia ka kontestuar kësaj të fundit pozitën e kryeministrit, por ka kërkuar që si baraspeshë në ndarjen e pushtetit, ta ketë pozitën e kryetarit të kuvendit, të cilën e ka nën drejtim Vetëvendosje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG