Britania e Madhe të premten i jep fund gati gjysmë shekulli të integrimit me fqinjët e saj më të afërt dhe largohet nga Bashkimi Evropian, duke filluar një kapitull të ri - por ende të paqartë në historinë e saj të gjatë.
Britania bëhet vendi i parë që la bllokun prej 28 anëtarësh, 47 vjet pas anëtarësimit të saj.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, e ka mbështetur Brexit-in dhe ka premtuar se do të udhëheqë vendin drejt një të ardhme të re të ndritshme.
"Puna jonë si qeveri - puna ime – është që ta bashkojmë këtë shtet të na çojë përpara", tha Johnson në një deklaratë për të shënuar rastin historik.
Ai tha se "ky nuk është një fund, por një fillim. Ky është një agim i një epoke të re”.
Pothuajse gjysma e popullsisë së vendit ka qenë kundër daljes nga Bashkimi Evropian.
Procesi i daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja nuk do të ndjehet menjëherë nga ana e shtetasve evropianë dhe atyre britanikë falë një periudhe tranzicioni të negociuar si pjesë e një marrëveshjeje të daljes, e cila u ratifikua këtë javë nga ana e institucioneve të BE-së.
Britanikët do të jenë në gjendje të punojnë dhe të bëjnë tregti lirshëm me vendet e BE-së deri në 31 dhjetor, dhe anasjelltas, edhe pse Mbretëria e Bashkuar nuk do të përfaqësohet më në institucionet e bllokut.
Deri në fund të vitit 2020, Johnson ka premtuar të krijojë një marrëveshje të gjerë të tregtisë së lirë me BE-në, bllokun më të madh tregtar në botë.
Britania e Madhe e ndarë rreth vendimit
Përfundimi i Brexit-it ka qenë një proces traumatik.
Britania e Madhe ka refuzuar shumë projekte të BE-së ndër vite – siç është monedha evropiane, ose marrëveshja e Schengenit. Por, referendumi për daljen nga BE-ja më 2016 ishte një tronditje e madhe.
Rezultatet nxitën një kaos politik në Londër, duke ngjallur përplasje politike për vite me radhë që paralizuan parlamentin dhe detyruan dorëheqjen e dy kryeministrave.
Johnson i dha fund trazirave me fitoren e tij vendimtare në zgjedhjet e muajit të kaluar, që i dhanë atij shumicën parlamentare për të ratifikuar marrëveshjen e Brexit.
Por, britanikët mbeten aq të ndarë sa ishin gati katër vjet më parë, kur 52 përqind votuan të largohen, por 48 përqind votuan për të mbetur në BE.
Vetë Johnson është një figurë polarizuese, por ai ka theksuar se angazhohet për unitet dhe po shmang çdo festë të madhe që mund të përkeqësojë përçarjet.
Euroskeptikët britanikë kanë bërë fushatë për dekada për të çliruar vendin e tyre nga ato që ata shohin si një institucion tepër burokratik.
Johnson ka premtuar të largohet nga tregu i vetëm dhe bashkimi doganor i BE-së, duke i dhënë Britanisë lirinë të krijojë marrëveshje tregtare në të gjithë botën.
Por se si do të funksionojë kjo - dhe cilat do të jenë kostot për kompanitë që varen nga të bërit biznes me BE-në - mbetet për tu parë.
Marrëveshja e divorcit me BE-në, zgjidhi çështjen e borxheve të Londrës, të drejtat e shtetasve të saj në BE, statusin e Irlandës Veriore dhe periudhën e tranzicionit.
Kryeministri Johnson do të përcaktojë planet e tij në një fjalim në fillim të javës tjetër, por Brukseli tashmë ka paralajmëruar se ai ose duhet të kufizojë ambiciet e tij ose të kërkojë më shumë kohë.
Johnson dëshiron gjithashtu një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është një mbështetës i madh i Brexit-it.
Përgatiti: Kestrin Kumnova