Ndërlidhjet

Spanja paralajmëron bojkotimin e Samitit të Zagrebit për shkak të Kosovës


Flamuri spanjoll dhe ai i Bashkimit Evropian.
Flamuri spanjoll dhe ai i Bashkimit Evropian.

Spanja kërcënon se do të bojkotojë Samitin e Zagrebit për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, merr vesh Radio Evropa e Lirë nga burime të besueshme në Madrid, Zagreb dhe Bruksel.

Sipas tyre, zyrtarët spanjollë i kanë paralajmëruar nikoqirët e samitit të ardhshëm se nuk do të marrin pjesë në takimin ku Kosova ka pjesëmarrje të barabartë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Po sipas burimeve, diplomatët e vendeve tjera të Bashkimit Evropian janë njoftuar tashmë se Spanja mund ta anashkalojë Samitin e Zagrebit.

Ky Samit midis përfaqësuesve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 6-7 maj.

Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Qeveria në Madrid e ka sfiduar pjesëmarrjen e barabartë të Kosovës në të gjitha tubimet e nivelit evropian.

Ajo edhe më parë ka bojkotuar takime të ngjashme.

Në vitin 2018 në Sofje, kur është mbajtur Samiti me Ballkanin Perëndimor, i pari pas 15 vjetësh, Madridi zyrtar nuk ka marrë pjesë për të njëjtat arsye.

Në një takim joformal të ministrave të jashtëm të BE-së dhe rajonit, i cili është mbajtur në Helsinki gushtin e kaluar, ministri i atëhershëm i punëve të Jashtme të Spanjës, Josep Borrell, është larguar nga salla për shkak të pranisë së ministrit të Kosovës.

Atëbotë ai nuk ka qenë i emëruar për pozitën e shefit të Politikës së Jashtme të BE-së.

I pytur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, për problemet e mundshme në organizimin e samitit për shkak të pjesëmarrjes së barabartë të Kosovës, kryetari i Parlamentit kroat, Gordan Jandrokoviq, ka thënë se nuk është e lehtë të përputhen interesat e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

“Kur ka interesa të ndryshëm, atëherë negociohet gjatë”, ka thënë Jandrokoviq, i cili ka konfirmuar se kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, është në kontakt me të gjithë liderët evropianë rreth organizimit të samitit.

Jandrokoviq po ashtu ka thënë se Qeveria e Kroacisë do të bëjë gjithçka të mundur për t’iu dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor perspektivë të qartë evropiane.

“Jo të gjitha vendet e BE-së kanë një qëndrim dhe entuziazëm të tillë. Ne do të flasim në interesin më të mirë të fqinjve tanë” ka thënë mes tjerash ai.

Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, zyrtarët në Zagreb janë të bindur se deri në maj do të gjendet një formulë që do t’i lejojë të gjithë të ftuarit në Samit të marrin pjesë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG