Ndërlidhjet

Polemika rreth Ligjit për ndalimin e importit të mbeturinave në Maqedoninë e V


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Aktivistët për mbrojtjen e ambientit jetësor, thonë se institucionet përkatëse në Maqedoninë e Veriut nuk disponojnë me kapacitetin e duhur që të inspektojnë përbërjen e mbeturinave që importohen në vend nga vendet e tjera, dhe për këtë arsye kanë kërkuar që me ligj të ndalohet importi i tërësishëm i mbeturinave që shfrytëzohen si lëndë djegëse, duke ngritur dyshimin se në mesin e mbeturinave ka dhe lëndë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

Bllazhe Josifovski nga organizata joqeveritare “Ajde Maqedoni”, thotë se të dhënat që ka publikuar Radio Evropa e Lirë për importin e miliona ton mbeturinave nga Bullgaria dhe vendet e tjera të Evropës, por edhe më gjerë, tregon për seriozitetin e problemit.

“Mendoj se kjo temë te ne me vite të tëra fshihej, dikush nuk donte të flitej, dikush donte shumë që të flitej për të. Mendoj se këto të dhëna duhet të na nxitin që të bëhen analiza dhe hulumtime serioze; ku kanë hyrë këto mbeturina këtu, ku kanë përfunduar dhe si” tha Josifovski.

Ai thekson se regullativa aktuale për menaxhim me mbeturinat u mundëson industrive të sigurojnë profite të majme nga djegia e mbeturinave, por shton se përderisa institucionet nuk disponojnë me kapacitetin e nevojshëm që të kontrollojnë përbërjen e mbeturinave importi duhet të ndalohet me ligj.

“Po që se ne si shoqëri vendosim...kemi frikë që rregullativa e tillë të mundësojë edhe hyrjen e diçka të cilën gjë nuk do ta kishim dëshiruar, ose në përgjithësi ta ulim importimin e mbeturinave industriale, i cili na ndotë gjithsesi – mendoj se gjithsesi, është e nevojshme të ndryshojë rregullativa dhe së paku, deri sa nuk hyjmë në Bashkimin Evropian dhe të rregullohemi qoftë edhe pak si vend, të bëhemi më të sigurt në planin juridik, mendoj se disa ide të organizatave qytetare, të qytetarëve, për ta ndaluar, ndoshta, ndonjë lloj të mbeturinave, ose ndoshta ndalim të plotë të importit të mbeturinave, mendoj se seriozisht do të duhet të mendohet”, thotë Josifovski.

Ambientalistët në vazhdimësi kanë theksuar se djegia e mbeturinave në masë të theksuar shkakton ndotjen e ajrit veçanërisht në kryeqendrën e Maqedonisë në Shkup duke e renditur këtë qytet në krye të listës së qyteteve më të ndotura në botë.

Propozim-ligji për menaxhimin e mbeturinave me procedurë të përshpejtuar që parasheh ndalesën e importit të mbeturinave të rrezikshme për t'u shfrytëzuar është vendosur në rend dite në seancën parlamentare të së hënës, por nuk dihet nëse do të sigurohen votat e nevojshme që ky ligj të kalojë.

Deputetja Liljana Popovka nga Partia e të Gjelbërve, e cila është edhe nismëtare për ndryshimin e ligjit për të ndaluar importin e mbeturinave si derivate, për Radion Evropa e Lirë thotë se ka dyshime se ligjit po i bëhen obstruksione sepse në seancën e së mërkurës ai është anashkaluar nga kryeparlamentari me arsyetimin se për këtë ligj nuk janë plotësuar kushtet.

“Në mënyrë procedurale parashtrova pyetjen pse nuk janë plotësuar kushtet pasi që ligji ka kaluar në dy komisionet përkatëse, dhe mendoja se për këtë se kanë informuar shërbimet. Pas kësaj, kryetari i parlamentit tha se për këtë çështje gjoja se koordinatorët e grupeve parlamentare nuk i kanë harmonizuar qëndrimet. Është e pakuptimtë që të kërkohet kohë shtesë për të mos shkelur Konventën e Bazelit në të cilën thuhet se një shtet që eksporton mbeturina është i detyruar të importojë edhe mbetje jashtë vendit”, tha Popovska.

Organizatat për mbrojtjen e ambientit jetësor të cilat angazhohen që me ligj të ndalohet importi i mbeturinave nga jashtë shtetit përmes iniciativës “Fronti i të Gjelbërit”, druajnë se deputetët do të bëjnë gjithçka që ky ligj të mos e shoh dritën sepse në këtë formë, sipas tyre, ata mbrojnë profitin miliona euro të kontrolluar nga “eko mafias“.

Por, autoritetet e shtetit janë mbrojtur duke theksuar se Maqedonia e Veriut përpos që importon mbeturina ajo edhe eksporton.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG