Ndërlidhjet

DASH lavdëron Shqipërinë për dëbimin e dy diplomatëve iranianë


Departamenti amerikan i Shtetit.
Departamenti amerikan i Shtetit.

Departamenti amerikan i Shtetit, e ka mirëpritur vendimin e autoriteteve të Shqipërisë, për të dëbuar dy diplomatët iranianë të akredituar në Tiranë.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, tha se regjimi iranian vazhdon të përdorë objektet e tij diplomatike, për të komplotuar sulme terroriste në Evropë dhe gjetkë.

“Ne e lavdërojmë vendimin e qeverisë së Shqipërisë për të dëbuar dy iranianët e ashtuquajtur diplomatë. Regjimi iranian vazhdon të përdorë objektet e tij diplomatike në Evropë, dhe gjetkë, si mbulesë për të komplotuar sulme terroriste, si dhe për të kërcënuar dhe spiunuar iranianët që jetojnë jashtë”, ka shkruar Ortagus.

Autoritetet në Shqipëri njoftuan të mërkurën se kanë urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve iranianë, të cilët janë shpallur persona të padëshiruar.

Vendimi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, në një postim në Facebook.

Sipas tij, dy diplomatët: Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe Seyed Ahmad Hosseini Alast kanë zhvilluar “veprimtari në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike".

"Dy përfaqësuesve të Republikës Islamike të Iranit u është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë”, tha Cakaj.

Kjo është hera e dytë që Shqipëria shpall persona të padëshiruar diplomatë iranianë.

Në dhjetor të vitit 2018, ambasadori i Iranit në Shqipëri dhe një tjetër diplomat i ambasadës u dëbuan nga ky vend, pasi dyshoheshin se ishin përfshirë “në aktivitete që cenojnë sigurinë”.

Në atë kohë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë tha se vendimi është marrë në konsultim me vendet aleate, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG