Ndërlidhjet

Përballja e Bosnjës me trafikantët e migrantëve


Migrantët në Bosnje
Migrantët në Bosnje

“I kam dërguar pesë persona deri në Mostar, ashtu siç ishim pajtuar paraprakisht. Më kanë paguar 50 euro për t’u furnizuar me karburant, dhe kanë insistuar të vazhdojë për në Sarajevë. Kam ndaluar te një pompë e benzinës".

"Aty ishte policia, të cilët na kërkuan të nxjerrim qantat nga bagazhi. Katër prej tyre (migrantëve) ikën me shpejtësinë e dritës, në të katër anët. Asnjëri nuk më ka paguar dhe më nuk do t’i transportoja, nuk ka asnjë mundësi më”, thotë një taksist nga Trebinja, derisa e fillon tregimin e tij gjatë një bisede për Radion Evropa e Lirë.

Ai kërkoi të mbetet anonim.

Taksisti vazhdon rrëfimin e tij duke treguar se ai transportonte migrantë nga Trebinja, qytet në jug të Bosnje dhe Hercegovinës, të cilët përmes rrugëve të paligjshme arrinin të hyjnë në Bosnje.

Por, ai nuk është i vetmi që transporton migrantë.

Tregimi i taksistit nga Bihaçi

Një taksist tjetër, i cili gjithashtu dëshiron të mbetet anonim, tregon se si ka transportuar migrantë për në kufirin me Kroacinë, nga qyteti kufitar i Bihaçit në Bosnje.

“Unë i kam transportuar në Kladushën e Madhe, më pas në kufirin me Kroacinë. Unë nuk shoh asgjë të diskutueshme në këtë, sepse atyre nuk iu është e ndaluar liria e lëvizjes", thotë ky taksist.

Asnjë nga taksistët nuk dëshiron të thotë nëse migrantët, përmes makinave, janë kontrabanduar nga Mali i Zi apo Serbia për në Bosnje dhe Hercegovinë.

Akuza për më shumë se 80 persona

Sipas Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, gjatë dy viteve të fundit, më shumë se 80 persona janë akuzuar për kontrabandë me njerëz, kryesisht migrantë.

I njëjti burim thotë se shumica e kontrabandistëve janë zbuluar në zonën e Trebinjës dhe se në shumicën e rasteve ata ishin shtetas të Bosnje dhe Hercegovinës.

Zëdhënësja e Policisë Kufitare në Bosnje dhe Hercegovinë, Franka Vican tha për Radion Evropa e Lirë se në vitin 2019, janë regjistruar 83 vepra penale të trafikimit të qënieve njerëzore, dhe se 79 raporte janë dorëzuar në zyrën e prokurorit kompetent.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kantonit Una-Sana në perëndim të Bosnje dhe Hercegovinës - ku ndodhet numri më i madh i migrantëve - thonë se problemi më i madh qëndron te provat e krimit, në këtë rast të kontrabandës me migrantë.

Si të dëshmohet trafikimi?

Ale Shiljdediq, një zëdhënës i policisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, Shërbimi për Ballkanin, se në vitin 2019 janë regjistruar 13 vepra penale të kontrabandës së migrantëve, shifër kjo, që sipas tij, është më shumë se një vit më parë.

"Disa probleme manifestohen në dokumentimin e këtyre veprave penale, pasi transporti i shtetasve të huaj ose migrantëve nuk mund të konsiderohet vepër penale, përveç nëse kjo është vërtetuar si qëllim për të kaluar paligjshëm një vendkalim kufitar. Ose, nëse dikush ka pranuar para për shërbimin", tha Shiljdediq, duke sqaruar se nëse migrantët transportohen nga një vend në tjetrin, ai nuk mund të vlerësohet si një veprim i paligjshëm.

I pyetur nëse organet e sigurisë kanë njohuri për çmimet që paguhen për të kaluar paligjshëm kufirin, Shiljdediq thotë "Kjo është një marrëveshje midis migrantëve dhe transportuesve. Me sa dimë, më shumë paguhen për kalimin e kufirit midis Bosnjës dhe Kroacisë dhe më pas kalimit në territorin e Kroacisë sesa për lëvizjen nga Serbia në Bosnje. Pra, sa më i lartë rreziku, aq më shumë paguan. Duhet të jetë disa mijëra euro”, shton ai.

Në dhjetor të vitit 2019, Abdul Rauf nga Pakistani, foli për Radion Evropa e Lirë në lidhje me kontrabandën e migrantëve. Ai, siç deklaroi në atë kohë, kishte provuar njëmbëdhjetë herë të kalonte kufirin për në Kroaci.

"Kur kontrabandistët transportojnë njerëzit, kushton rreth 3,000 € nga Bihaçi deri në Slloveni. Ka kontrabandistë që përgatisin njerëzit të ikin përtej kufirit me makinë. Por, kur ata mbledhin më shumë njerëz, atëherë transportohen me kamionë, të mbyllur dhe kushton rreth 3.000 euro për person", ka thënë Abdul për Radion Evropa e Lirë më 18 dhjetor 2019, në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve.

Edhe zëdhënësi i policisë, Ale Shiljdediq, thotë se bëhet fjalë për një rrjet ndërkombëtar të kontrabandistëve që kanë përfitime të konsiderueshme të pasurisë dhe që janë të lidhur mes vete në gjithë rrugën e Ballkanit - nga Turqia përmes Greqisë, Serbisë, Bosnjës, përmes Kroacisë deri në Itali.

"Ne kryesisht mbledhim të dhëna dhe i dërgojmë ato pranë institucioneve kompetente. Nëse dyshojmë se është kryer një vepër penale, atëherë ajo hyn në kuadër të aktiviteteve hetimore”, tha Shiljdediq.

Shoferët e taksive në Trebinje, të cilët deshën të mbeten anonim, i thanë Radios Evropa e Lirë se ata personalisht nuk kishin oferta për të transportuar migrantët nga një shtet në tjetrin, por se ata i njihnin disa kolegë të tyre që e bënin këtë.

Goran Çabrilo, një inspektor në Drejtorinë e Policisë Trebinje, thekson se policia, gjatë punës së saj ballafaqohet me shumë migrantë të paligjshëm.

"Deri më tani, janë gjetur 328 migrantë të paligjshëm, kryesisht në zonën e qytetit të Trebinjes, të ndjekur nga qytetet fqinje Bileça, Ljubinje, Nevesinje, Berkoviq dhe Gacko", tha Çabrillo për Radion Evropa e Lirë.

Expose: Migrantët e padëshiruar në Bosnje

Sipas të dhënave gjyqësore të Bosnjës dhe Hercegovinës, një shtetas pakistanez i është shqiptuar dënimi më i lartë prej tre vjetësh nën akuzën për kontrabandë me njerëz.

Shtetasi pakistanez, Usman-Ali Maqsood Ahmed, u pajtua për një marrëveshje të pranimit të fajësisë.

Deri në përfundimin e këtij raporti, Radio Evropa e Lirë, në Gjykatën e Bosnjës, nuk mund të merrte informacion se çfarë gjobash parasheh ligji për ata që kontrabandojnë me migrantë.

Prokurorja e Përgjithshme i Bosnjës, Gordana Tadiq njoftoi se në fund të vitit 2019 se në kuadër të zyrës së Prokurorit të Shtetit, do të krijohet një Departament Special për Luftimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

Sipas saj, kjo do të ndodhë gjatë vitit 2020.

Sipas Ministrisë së Sigurisë të Bosnje dhe Hercegovinës, mbi 60.000 migrantë janë regjistruar në Bosnje, gjatë dy viteve të fundit.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG