Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Iranin se janë duke vëzhguar veprimet e tij, pasi autoritetet kanë mohuar përdorimin e municionit në protestat kundër qeverisë, në të cilat është shprehur zemërim për mënyrën se si zyrtarët kanë menaxhuar incidentin e rrëzimit të një aeroplani ukrainas javën e kaluar.
Marshet janë duke u zhvilluar për të tretën ditë me radhë në dy univeritete të Teheranit, Sharif dhe Amir Kabir.
Nëpër postime në rrjetet sociale janë dëgjuar thirrjet “Klerikë largohuni”.
Autoritetet kanë mohuar se policia ka shtënë me armë zjarri, pavarësisht pamjeve nëpër të cilat shihen forcat e sigurisë duke përdorur municion për të shpërndarë protestuesit.
Ushtria e Iranit ka pranuar se ka rrëzuar aeroplanin, Beoing 737-800 më 8 janar, duke lënë të vdekur 176 persona, ndonëse është thënë se incidenti ka qenë i paqëllimshëm.
Mirëpo zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Morgan Ortagus ka paralajmëruar autoritetet iraniane se Uashingtoni nuk do të “tolerojë” dhunën kundër protestuesve.
“Ne dëshirojmë që regjimi të ketë njohuri se Shtetet e Bashkuara janë duke vëzhguar, se bota është duke shikuar dhe ne do të ngrisim zërin për secilin abuzim të kryer nga regjimi ndaj njerëzve të vet. Ne nuk do të tolerojmë që të vriten protestuesit e pafajshëm. Presidenti amerikan, Donald Trump ka qenë shumë i qartë gjatë fundjavës”, ka thënë Ortagus për Radion Evropa e Lirë.
Një ditë më parë, presidenti Trump ka paralajmëruar autoritetet iraniane që të mos shënjestrojnë protestuesit kundër qeverisë.
“Mijëra persona tashmë janë vrarë apo burgosur nga ju dhe bota po ju shikon. Më e rëndësishmja, SHBA-ja po ju vëzhgon”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Si pasojë e rrëzimit të aeroplanit ukrainas kanë vdekur 82 iranianë, 57 kanadezë, 11 ukraianas, 10 suedezë, 10 afganë, tre gjermanë dhe tre britanikë.