Ndërlidhjet

Tensione të larta në Iran pas rrëzimit të avionit ukrainas


Policia në Iran tha të hënën se nuk i ka qëlluar protestuesit që kanë dalë në rrugë qëkur Teherani ka pranuar të shtunën se ka rrëzuar një aeroplan ukrainas të pasagjerëve.

Videot e postuara në mediat sociale, megjithatë, kanë treguar pamje të të shtënave dhe të njerëzve me gjak.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përmes një postimi në Twitter, i porositi autoritetet iraniane që “të mos vrasin protestues”.

Zëdhënësi i Qeverisë iraniane, Ali Rabiei, u përgjigj, duke thënë se Trump derdh "lot të krokodilit" kur shpreh shqetësim për iranianët.

Protestat janë zhvillimi i fundit në kohën e tensioneve më të larta midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Teherani ka pranuar se ka rrëzuar gabimisht avionin e Ukrainës, duke vrarë të 176 njerëzit në bord.

Tragjedia ka ndodhur vetëm pak orë pasi Irani ka sulmuar me raketa bazat amerikane në Irak, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e komandanit iranian, Qasem Soleimani, në një sulm të SHBA-së, më 3 janar.

*Rrëzimi i avionit ukrainas

Aeroplani ukrainas rrëzohet në Iran, vdesin 176 persona
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Publiku iranian shpërtheu në protesta të shtunën, pasi autoritetet pranuan se kanë rrëzuar avionin. Protestat vazhduan edhe të dielën në disa qytete të Iranit.

Videot në mediat sociale, të postuara të dielën vonë regjistruan të shtëna me armë në afërsi të protestave në Sheshin Azadi të Teheranit.

Pamjet treguan gjak dhe të plagosur që barteshin me makina.

“Udhëheqësi ynë është skandaloz dhe budalla”, thirri një protestues, duke aluduar në liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.

Të tjera video tregonin policinë duke i goditur protestuesit me shkopinj, ndërsa njerëzit pranë bërtisnin: “Mos i rrihni”, raporton Reuters.

Agjencia e lajmeve, megjithatë, thotë se nuk ka mundur të konfirmojë vërtetësinë e videove.

Shefi i policisë në Teheran, Hossein Rahimi, mohoi se ka pasur të shtëna në drejtim të protestuesve.

“Policia nuk ka qëlluar drejt protestuesve, sepse oficerëve të kryeqytetit u është dhënë urdhër që të tregojnë përmbajtje”, tha Rahimi.

Hadi Ghaemi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Iran – organizatë me seli në Nju Jork – tha se iranianët “duhet të lejohen të shprehin hidhërim dhe të kërkojnë përgjegjësi”.

“Iranianët nuk duhet të rrezikojnë jetën duke ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për tubime paqësore”, tha Ghaemi.

Në fluturimin e Ukrainës PS752 humbën jetën 82 iranianë, 57 kanadezë, 11 ukraianas, 10 suedezë, 10 afganë, tre gjermanë dhe tre britanikë.

Irani ka ftuar Kanadanë dhe Ukrainën të marrin pjesë në hetime dhe ka thënë se ata që janë fajtorë, do të mbahen përgjegjës.

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se do të kërkojë “drejtësi” për të vrarët.

“Më vjen shumë keq për humbjen tuaj. Kjo tragjedi nuk do të duhej të ndodhte kurrë. Dua t’ju siguroj se e keni mbështetjen time të plotë gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë”, tha Trudeau në një vigjilje për kanadezët e vrarë në tragjedi.

“Nuk do të pushojmë derisa të ketë përgjigje”, shtoi ai.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG