Ndërlidhjet

VV dhe LDK: Në tavolinë, opsione dhe oferta të reja


Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë për Radion Evropa e Lirë se negociatat me Lidhjen Demokratike të Kosovës, janë bërë intensive, por nuk ka marrëveshje.

“Bisedimet janë bërë intensive këto ditë, janë bërë të dendura si kurrë më parë, ka edhe opsione të reja, ka edhe lëvizje, por nuk ka marrëveshje. Po diskutohet me përgjegjësi të lartë, po negociohet me kujdes, në atmosferë dashamirëse e konstruktive”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Vetëvendosjes, pas takimit të liderit të VV-së, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Kurti dhe Mustafa të enjten e përfunduan takimin pa dhënë detaje për ecurinë e negociatave.

Veliu: VV-ja të gjejë zgjidhje për situatën

Ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një postimi në Facebook ka thënë se “LDK, në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje, i ka paraqitur ofertën LVV-së për bashkëqeverisje”.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu nuk ka dhënë detaje të negociatave. Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Lëvizja “Vetëvendosje” që t’i japë zgjidhje kësaj çështjeje dhe të gjejnë një formulë të pranueshme “pas veprimeve të njëanshme” të cilat i ka ndërmarrë kjo parti.

Veliu tha se qëndrim i LDK-së është që “nuk ka asnjë kuptim që të zgjatën në pakufi bisedat”, përderisa konfirmoi se nuk është vendosur asgjë, për ndonjë takim të rradhës ndërmjet të dyja partive.

Bisedimet e së enjtes ishin vlerësuar si të rëndësishme për procesin e negociatave për formimin e qeverisë së re, pasi pas përfundimit të takimit të së mërkurës mes Kurtit dhe Mustafës, të dyja partitë kishin deklaruar se ka pasur “lëvizje” për të arritur pajtueshmëri.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar të hënën me liderin e LVV-së, Albin Kurti, për të diskutuar rreth mandatarit për kryeministër, dhe më pas është bërë e ditur që Thaçi t’i ketë dhënë afat prej 48 orëve Kurtit për të propozuar një emër. Ky afat ka skaduar të mërkurën në orën 15:00.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 6 tetor në Kosovë.

Ky proces zgjedhor është zhvilluar pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës, meqë kishte marrë ftesë për dëshmi nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG