Ndërlidhjet

Policia e Kosovës arreston gruan që e kundërshtoi vrasjen e gjeneralit iranian


Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, e ka arrestuar, Ikballe Berisha-Hudutin, e cila përmes rrjeteve sociale ishte deklaruar kundër vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, gjatë një sulmi me dron nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Më datë 07.01.2020, Drejtoria Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe në bazë të urdhëresës nga organet kompetente te drejtësisë, ka kryer bastisje ne lokacionin e të dyshuarës. E dyshuara është sjell për intervistim dhe me urdhër të prokurorit nga Prokuroria Speciale është dërguar në mbajtje për 48 orë, deri në vendim tjetër nga Gjykata kompetente”, ka thënë Hoxha.

Në deklaratën e Policisë së Kosovës nuk janë dhënë hollësi se për çfarë është ndaluar e dyshuara.

Ikballe Berisha-Huduti, përmes një serie postimesh në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook, kishte shprehur pikëpamjet e saj lidhur me vrasjen e Soleimanit, të cilin e kishte përshkruar si “njeri madhështor”.

Berisha-Huduti në një postim në rrjetin social Facebook, kishte kritikuar Uashingtonin pasi forcat amerikane vranë më 3 janar Soleimanin.

“Duke vrarë të zotin e shtëpisë, ju keni vrarë të gjithë familjen, andaj hakmarrja është e obligueshme, por nuk ka kufi”, ka shkruar Huduti-Berisha.

Postimi duket se është fshirë pas raportimeve nga mediat vendore në Kosovë.

Më 3 janar, Shtetet e Bashkuara përmes sulmeve ajrore e vranë udhëheqësin e forcës Kuds të Iranit, Qasem Soleimani.

Irani ka kërcënuar se do të hakmerret ashpër.

Uashingtoni e ka fajësuar Soleimanin për vrasjen e trupave amerikane në Irak dhe e ka akuzuar atë për komplot për sulme të reja pak para vrasjes së tij, javën e kaluar pranë aeroportit të Bagdadit. Soleimani ka udhëhequr milicitë iraniane në konfliktet në Siri, Irak, Liban dhe Jemen. Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar si "terrorist".

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës shfaqen mbështetje për reagimin amerikan ndaj aktiviteteve të Iranit në Lindje të Mesme.

“E mbështes fuqishëm reagimin e Shteteve të Bashkuara ndaj aktiviteteve të Iranit në Lindje të Mesme, të cilat kanë shkaktuar terror, pasiguri dhe shqetësime në mbarë botën. Ne qëndrojmë të bashkuar në mbrojtje të vlerave tona, mënyrës tonë të jetesës dhe në kërkim të paqës dhe sigurisë”, kishte shkruar në rrjetin social Twitter, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati deklaruar se “Veprimet e fundit vetëmbrojtëse ndaj Gjeneral Soleiman-it janë mbrojtje, jo vetëm për SHBA-në, por për lirinë dhe demokracinë gjithandej”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG