Ndërlidhjet

Kurti: Në takim te presidenti, pa marrëveshje me LDK-në


Albin Kurti
Albin Kurti

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se në takimin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, është duke shkuar pa një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Përkundër përpjekjeve të mia të vazhdueshme nuk më është bërë e mundur një takim me kryetarin e LDK-së, para këtij takimi të sotëm me presidentin e shtetit. Askush prej nesh nuk e ka menduar që viti i ri 2020 do të na zë pa qeveri. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, si përfaqësuesi i juaj politik që ka marrë më së shumti vota në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, theksoj se nuk kemi kohë për të humbur”, tha Kurti përmes një video-mesazhi.

Takimi i sotëm zhvillohet pas ftesës së tretë të presidentit Thaçi drejtuar Kurtit.

Kurti i bëri thirrje udhëheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës “që sa më parë t’i dërgojë emrat e 5 ministrave të saj dhe të zëvendëskryeministrit apo zëvendëskryeministres së parë nga radhët e saj”.

Gjithashtu, ai publikoi emrat e të përzgjedhurve të tij për ministra nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Për zëvendëskryeministër të dytë të Qeverisë, Haki Abazi, për ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, profesor Blerim Reka, për ministër të Financave dhe Transfereve, profesor Besnik Bislimi, për ministre të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe për ministre të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia”, njoftoi Kurti.

Kurti u zotua se menjëherë pasi që t’i ketë emrat e ministrave dhe zëvendëskryeministrit të parë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, do t’i sjellë edhe emrat e ministrave nga pakicat joserbe dhe nga pakica serbe, si dhe të së paku 10 zëvendësministrave nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike e Kosovës paralajmëroi për ditën e hënë mbledhjen e Grupit Parlamentar të saj dhe të Kryesisë së partisë.

Të dyja këto subjekte politike, LVV dhe LDK, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit kanë punuar për harmonizimin e një programi qeverisës dhe kanë thënë se në parim janë marrë vesh edhe për ndarjen e dikastereve qeverisëse.

Megjithatë, ato nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për koalicion qeverisës.

Më 26 dhjetor është konstituuar përbërja e re e Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Kuvendit është zgjedhur Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ky veprim, sipas zyrtarëve të LDK-së, e ka kthyer situatën në pikën zero për sa i përket një marrëveshjeje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që pjesë e marrëveshjes për koalicion ishte planifikuar të ishte edhe pozita e kryetarit të Kuvendit.

Të dyja partitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja, kanë paralajmëruar se do t’iu qasen sërish bisedimeve për gjetjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, por deri më tash ende nuk është saktësuar se kur do të ketë ndonjë takim ndërmjet zyrtarëve të të dyja partive.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG