Ndërlidhjet

Britania merr masa për mbrojtjen e anijeve në Ngushticën e Hormuzit


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Shefi i mbrojtjes së Britanisë thotë se marina do të shoqërojë anijet që kanë flamurin e Mbretërisë së Bashkuar gjatë kalimit të tyre në Ngushticën e Hormuzit, për shkak rritjes së tensioneve në rajon, pas vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani nga Uashingtoni.

Sekretari i Mbrojtjes së Britanisë, Ben Wallace tha se ka urdhëruar dy anijet britanike HMS Montrose dhe HMS Defender, që të përgatiten të shoqërojnë anijet britanike që kalojnë në këto ujra.

“Qeveria do të ndërmarrë hapat e nevojshme për të mbrojtur anijet dhe qytetarët tanë”, tha Wallace përmes një deklarate për media.

Komentet e sekretarit Wallace vijnë pasi kryeministri britanik Boris Johson, u kritikua për shkak se ai nuk foli publikisht për vrasjen e gjeneralit Soleimani gjatë një sulmi me dron të SHBA-së.

Mediat raportojnë se Johnson gjendet në pushime në Karaibe.

Vitin e kaluar, Britania ka shoqëruar anijet në këtë zonë, pasi një anije britanike ishte kapur në po këtë ngushticë.

Sekretari Wallace gjithashtu njoftoi se ka biseduar me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Mark Esper dhe ka bërë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët, pasi Irani është zotuar se do të hakmerret për vrasjen e gjeneralit Soleimani.

“Sipas ligjit ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë të mbrojnë veten nga kërcënimet ndaj qytetarëve të tyre”, tha Qallace.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka thënë se sulmi me dron kundër Soleimanit ishte kryer për të parandaluar sulme të mundshme nga Irani.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG