Ndërlidhjet

Masë 48 orëshe ndaj personit që kërcënoi përmes Facebook-ut, Albin Kurtin


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti

Nën dyshimet se ka kërcënuar me jetë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kandidati i vetëm për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës, Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë ka ndaluar për 48 orë një person, me emrin Haxhi Hoti, i cili në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e partisë Nisma Socialdemokrate.

“Lidhur me rastin, njësiti policor e ka kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij, por i njëjti nuk është hasur, të njëjtit i është lënë ftesë për paraqitje të menjëhershme në polici. Në cilësinë e dëshmitarëve janë intervistuar dy persona, në koordinim me Prokurorin eShtetit janë ndërmarrë veprime për rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.

“I dyshuari pas paraqitjes në polici, është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Postimi i Haxhi Hotit në Facebook
Postimi i Haxhi Hotit në Facebook

Në profilin e tij në Facebook, Haxhi Hoti kishte shkruar ndër tjera se “Albin Kurti ika dy rrugë: Ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”.

Më pas, Hoti e kishte fshirë këtë postim nga faqja e tij dhe kishte kërkuar falje publike duke shkruar: “ishte një gabim teknik i imi, ku mediat pa me pyetur mua e kanë shpërndarë këtë shkrim! Kërkoj falje publike”.

Po ashtu, Hoti ka kërkuar falje edhe në emër të partisë Nisma Socialdemokrate.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha për mediat se nuk e konsideron këtë kërcënim si diçka alarmante.

"Ashtu si unë që sjam John Kennedy, as ai nuk është Lee Harvey Oswald, kështu që nuk e konsideroj si diçka alarmante, tha Kurti".

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një deklarate të publikuar në Facebook bën të ditur se përfaqësuesi i zyrës ligjore të kësaj partie politike, Berat Ganiqi, kishte dorëzuar një kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë.

“Ne nuk e dimë nëse ai kërcënim ka qenë i porositur, gjakftohtë, apo i nxitur nga kultura e urrejtjes ndaj Lëvizjes, e cila është kultivuar për vite me radhë nga subjektet e pushtetit, që janë pasuruar paligjshëm duke varfëruar Kosovën. Këto gjëra duhet t’i zbulojë policia e prokuroria”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

“Megjithatë, rasti ka rrethana rënduese, për shkak se kërcënuesi është pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Republikës, nga një parti e koalicionit PAN, të shquar për keqqeverisje e kapje të shtetit. Përveç subjektit të vet partiak, nga postimet e tij publike në rrjete sociale kuptohet se kërcënuesi është edhe adhurues i madh i presidentit të Republikës”, thekson Vetëvendosje.

“Kosova e ka vetëm një rrugë përpara, atë të ligjit e të zhvillimit, në luftë pa kompromis kundër krimit, pabarazisë dhe injorancës”, thuhet ndër tjera në reagimin e Vetëvendosjes.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në Kosovë, më 6 tetor, Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë, kurse kryetari i saj, Albin Kurti është nominuar nga kjo parti për postin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG