Ndërlidhjet

Subvencionet nuk parandalojnë ikjen e bujqve


Ilustrim
Ilustrim

Nga Dikasteri i Bujqësisë në Maqedoninë e Veriut, kanë bërë të ditur se gjatë vitit të ardhshëm, do të dyfishojnë subvencionet nga 10 mijë euro në 20 mijë euro për bujqit e rinj, për t'i motivuar të mbeten në vend dhe të shtrijnë aktivitetin e tyre në bujqësi dhe blegtori.

Por, ekspertët në këtë lëmi thonë se përmes subvencioneve nuk mund të binden të rinjtë që të mos e braktisin vendin, por janë politikat zhvillimore si dhe tregu i garantuar ato që janë vendimtare për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Nga Lidhja e Bujqve të Maqedonisë së Veriut e kanë përshëndetur masën për subvencionimin e bujqve të rinj, me mjete financiare të pakthyeshme megjithëse theksojnë se është bërë praktikë që gjithmonë para zgjedhjeve të premtohen subvencione, por në realitet thonë se praktika ka dëshmuar se këto mjete vështirë arrijnë në duart e bujqve.

“Si Lidhje e Bujqve të Maqedonisë së Veriut, vlerësojmë se kjo iniciativë është e mirë nëse arrin që vërtetë të realizohet. Por, më shumë fshatra të shtetit pothuajse janë zbrazur dhe të rinjtë veç më tepër janë larguar nga vendi. Për të mbajtur të rinjtë në vend duhen politika afatgjate agrare, sepse gjendja është e pavolitshme si rrjedhojë e politikave joadekuate për bujqësinë."

"Njëherësh është shumë e rëndësishme që shpërndarja e mjeteve të jetë e drejtë dhe të bëhet mbi bazë të plotësimit të kushteve dhe jo të jetë selektive”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Veljo Tantarov, kryetar i Lidhjes së Bujqve të Maqedonisë së Veriut.

Bujqit ankohen se kanë shumë probleme edhe gjatë marrjes së subvencioneve nga shteti pasi u kërkohet shumë dokumentacione që e kanë vështirë të kompletojnë ndërsa administrata nuk u del në ndihmë.

Nga ana tjetër, Gëzime Fejzi e cila është pronare dhe menaxhere e kompanisë familjare për prodhimin e produkteve nga qumështi, për Radion Evropa e Lirë thotë se është evidente braktisja e e të rinjve nga aktivitetet në bujqësi dhe blegtori gjë që ka ndikuar dhe në industrinë e prodhimeve nga qumshti.

“Sot është pak vështirë, si e para mungon krahu i punës, nuk kemi punëtorë. Ja mua vitin e kaluar dy punëtorë mu larguan, ikën në Gjermani për një jetë më të mirë. Nuk mund tu them qëndroni, ndërkohë që mungon krahu i punës", tha ajo.

Nga ana tjetër, ekspertët e bujqësisë thonë se ndihma financiare për një kohë të caktuar mund të ndalë trendin e largimit të të rinjve, por për të pasur rezultate afatgjate duhet fitimi të orientohet tek prodhuesit e produkteve bujqësore dhe blegtorët dhe jo te përpunuesit e këtyre produkteve përkatësisht industrinë e përpunimit të prodhimeve bujqësore.

“Tani kapitali shkon tek përpunuesit e produkteve bujqësore dhe jo prodhuesit. Që të mbeten buqit këtu, politikat e shtetit në lëminë e bujqësisë duhet të orientohen në fuqizimin e bujqve dhe blegtorëve paralelisht me industrinë e përpunimit të produkteve bujqësore e cila ka rol të rëndësishëm në sigurimin e tregut për prodhimet buqësore”, thotë Ilia Karov, profesor në pension i Fakultetit të Bujqësisë.

Por, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimkovski, është zotuar se gjatë vitit të ardhshëm , vitit 2020 përmes Programit të Zhvillimit Rural, theks i veçantë do t'i jepet mbështetjes për fermerët e rinj dhe grave që të merren me bujqësi.

"Me ndryshimet e fundit në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, përveç masës ekzistuese për fillimin e veprimtarisë bujqësore i projektuar për fermerët e rinj në vlerë prej 10,000 eurosh, ne fusim edhe një masë tjetër bujqësore për personat deri në 40 vjet, për të cilët mbështetja financiare është 20,000 euro".

"Përmes këtyre masave ne investojmë në fermerë të rinj, krijojmë kushte që ata të qëndrojnë në tokën e tyre të lindjes dhe të merren me bujqësi. Masa e ndihmës për një anëtare grua aktive në një familje bujqësore mundëson mbështetje financiare në shumë prej 180 mijë denarë (rreth 3 mijë euro) mjete këto të pakthyeshme".

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG