Ndërlidhjet

Shtohen rastet e intervenimeve kirurgjike në zemër


Klinika Kardiokirurgjike - foto nga arkivi
Klinika Kardiokirurgjike - foto nga arkivi

Numri i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për sëmundjet e zemrës, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është rritur, thonë zyrtarët në Klinikën e Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë.

Sëmundjet kardiovaskulare, që prekin zemrën dhe enët e gjakut, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, konsiderohen ndër shkaktarët e parë të vdekjeve. Ndërkaq Kosova nuk ka sistem të referimit shëndetësor dhe rrjedhimisht, nuk ka edhe statistika të sakta rreth vdekshmërisë që shkaktojnë sëmundjet e zemrës.

Klinika e Kardiologjisë Invazive dhe ajo e Kardiokirurgjisë, ka trajtuar shumë më shumë pacientë në vitin 2019, krahasuar me vitin paraprak, thotë Tefik Bekteshi, drejtor i këtyre dy klinikave. Ai tha për Radion Evropa e Lirë se këto dy klinika kanë filluar të funksionojnë me dy salla operative, çka ka ndikuar në rritjen e numrit të shërbimeve shëndetësore për pacientët.

Megjithëkëtë, lista e pritjes vazhdon të mbetet në funksion dhe pritjet ndodhin deri në 45 ditë për koronografi, tha ai.

“Këtë vit janë në funksion dy salla në kardiokirurgji dhe dy në intensive me 7 shtretër. Sa i përket numrit dhe procedurave në klinikë, vitin e kaluar për shembull kemi pasur 210 operime në zemër të hapur, derisa këtë vit 306 operime. Kanë qenë 1300 stentime vitin e kaluar, derisa këtë vit janë kryer 1600”, tha Bekteshi.

“Lista e pritjes ekziston, por nga 1 janari i vitit 2020, kemi marrë vendim që për gjithë pacientëve që janë në listë të pritjes t’u caktohet data e saktë e shërbimit që do ta marrin”, tha Bekteshi.

Për këto shërbime, pacientët duhet të paguajnë për vendosje të stentës dhe për koronografi, por jo edhe për operacione në zemër.

“Një stentë në QKUK kushton 350 euro, ndërkaq koronografia kushton 150 euro, e që pacientët duhet të participojnë”, tha Bekteshi, duke konfirmuar se për operacionet në zemër nuk paguhet asnjë cent.

Në anën tjetër Basri Sejdiu, drejtor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, bëri të ditur se rritjen e numrit të pacientëve në Klinikën e Kardiologjisë Invazive dhe Kardiokirurgjisë e ka mundësuar investimi i bërë gjatë këtij viti në këto klinika.

“Vetëm gjatë vitit 2019, janë bërë investime në sallën e dytë me angiografin e ri, që ka kushtuar 2.4 milionë euro, me gjitha përgatitjet për sallë, ndërkaq në Kardiokirurgji, gjithashtu salla e dytë është funksionalizuar. Po ashtu, edhe puna me një vullnet të stafit shëndetësorë në këto klinika, ka bërë që të rritet fluksi dhe vëllimi”, tha Sejdiu.

Ndryshe në këto klinika mungojnë së paku dy anesteziologë dhe infermierë. Punësimi i kuadrove në mungesë nuk është arritur të realizohet për shkak të mungesës së buxhetit, thonë në QKUK.

Shkalla e vdekshmërisë për sëmundjet e zemrës në QKUK, sipas Bekteshit është rreth 4 për qind, e që siç thotë ai, është e krahasueshme edhe me vendet e zhvilluara.

Gjatë këtij viti, në klinikën e Kardiologjisë Invazive ka filluar edhe programi për trajtimin e infarktit akut brenda 120 minutave. Ky projekt ka për qëllim uljen e vdekshmërisë së pacientëve që përjetojnë sulm në zemër, apo infarkt akut të miokardit, e që kjo e fundit shkakton në gjithë botën vdekshmëri të lartë tek pacientët.

Ky program që tashmë po implementohet vetëm në Prishtinë, parasheh që pacienti të trajtohet dy orët e para pas infarktit në zemër, derisa nga viti 2020, sipas përgjegjësve në QKUK, do të zgjerohet në gjithë Kosovën.

Funksionalizimi dhe modernizimi i shërbimeve shëndetësore brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, sipas zyrtarëve të QKUK-së ka ndikuar që pacientët të mos detyrohen që disa shërbime mjekësore t’i kërkojnë vetëm jashtë Kosovës apo në spitale private, ku, sipas tyre, çmimet për kategori të caktuara janë të papërballueshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG