Ndërlidhjet

“Mini-Shengeni”, jofunksional pa të gjitha shtetet


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë takimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë takimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Derisa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev mbështet nismën për “Mini-Shengenin” ballkanik, duke e vlerësuar si shumë të mirë për lëvizjen e njerëzve vetëm me letërnjoftime si dhe ofrimin e lehtësirave të shumta në fushën e transportit të mallrave, drejtues të institucioneve tjera thonë se kjo nismë nuk mund të ketë sukses nëse nuk do të përfshijë edhe shtetet tjera të Ballkanit.

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, në fjalimin vjetor në Kuvend tha se “Mini-Shengeni” duhet të jetë i plotë me përfshirjen e të gjitha gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, pasi të kundërtën kjo nismë nuk do të ketë sukses.


“I ashtuquajturi ‘Mini-Shengeni” ballkanik duhet të përbëhet nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm nga tri. Pra, kjo nismë që të jetë funksionale duhet të jetë i plotë, ndryshe nuk funksionon. Me këtë aleancë nuk kemi të bëjmë as me ‘Jugosllavinë e Madhe’ dhe as me ‘Shqipërinë e madhe’. Kanë kaluar ideologjitë e vjetra të shekullit të kaluar, këto duhet t’i arkivojmë. ‘Mini-Shengeni’ na duhet për të përmirësuar jetët tona në Ballkan dhe për të shuar përfundimit konfliktet”, ka deklaruar presidenti Pendarovski duke u angazhuar më tej në nevojën për thellimin e bashkëpunimit mes shteteve dhe heqje dorë nga politikat e kaluara nacionaliste që kanë sjellë luftëra dhe tragjedi të shumta.

“Ballkanit nuk i duhen ideologjitë e shekullit të XIX dhe XX. Nëse vërtetë duam jetë më të mirë, atëherë duhet të bashkohemi sipas modelit të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore”, ka theksuar Pendarovski.

Edhe njohësit e çështjeve politike, thonë se nisma e “Mini-Shengenit”, nuk do të ketë sukses nëse nuk do të jetë e plotë. Arsimi Sinani nga Qendra për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike, thotë se kreu i shtetit e ka të qartë se çdo nismë që do të përjashtonte apo nuk do të përfshinte të gjithë shqiptarët do të jetë e dështuar.

“Është një deklaratë realiste për shkak se Pendarovski është i vetëdijshëm për rolin e shqiptarëve në rajon, e kupton dhe mendon se duhet të jetë në këtë linjë, kjo është korrekte. Por, është e pa kuptueshme se si nga ideja e Evropës e anëtarësimit në BE, në përfundojmë në grackat e doktrinës së (Nikolla) Pashiqit apo të (Ilija) Garashaninit andaj mendoj se kjo nismë paraqet një gabim strategjik”, thotë Sinani duke theksuar se spektri i politikës kosovare si asnjëherë më parë është unik sa i përket nismës dhe se këtë sipas tij duhet të kenë të qartë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, se vështirë që kjo nismë do të jetësohet edhe për faktin tjetër të hezitimit edhe nga dy vendet tjera, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Nuk shoh se Kosova as që do të tentojë, bile për herë të parë po shihet se në rastin e kësaj nisme fatkeqe, për herë të parë i gjithë spektri politik i Kosovës, që është i polarizuar, është unik”, thotë Arsimi Sinani nga Qendra për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike, duke shtuar se pa njohjen e Kosovës nga Serbia, nismat e tilla vështirë se do të mund të jenë funksionale.

Ndërkohë, partitë politike thonë se mbështesin çdo nismë rajonale që ka për qëllimin afrimin e shteteve dhe forcimin e bashkëpunimit mes tyre për lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, por sipas tyre prioritet kryesore duhet të mbetet angazhimi për anëtarësimin e tyre në strukturat euroatlantike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG