Ndërlidhjet

Partitë politike nxisin tensione ndëretnike


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Partitë politike ende nuk kanë një qëndrim të prerë se si do të veprojnë me rekomandimet e Komisionit të Venecias për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, se “dispozitat do të shkaktojnë vështirësi në procedurat gjyqësore”, por edhe në komunikimin ndërinstitucional dhe të brendshëm ndërmjet shërbyesve administrativë dhe atyre civilë, duke rekomanduar që gjuha shqipe të kufizohet në komunikim zyrtar të shkruar.

Kryeministri Zoran Zaev kishte paralajmëruar se deri në fund të javës do të nisin konsultimet me partitë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme konform rekomandimeve të komisionit, por deri më tani konsultime të tilla nuk janë mbajtur.

Paraprakisht, kreu i Qeverisë, Zaev, ishte dalë në mbrojtje të ligjit, por gjithashtu ka theksuar gatishmërinë për të pranuar vërejtjet për ta bërë sa më efikas dhe të zbatueshëm këtë ligj të miratuar më 14 mars të vitit 2018, pas polemikave të shumta ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

“Me këtë ligj ne kemi hedhur poshtë tezat se gjoja maqedonasit do të detyrohen të mësojnë shqipen, që për fat të keq shkaktoi nxitje nacionaliste në shtet. Edhe vetë Komisioni i Venecias ligjin e vlerëson si avangardë që kapërcen madje edhe konventat evropiane. Gjuhët janë që të merremi vesh, dhe ne kur e miratuan Ligjin për gjuhët, thanë se do ta dërgojnë për mendim në Komisionin e Venecias dhe se të marrim parasysh rekomandimet”, pati deklaruar kryeministri Zaev, pas publikimit të raportit.

*Video nga arkivi: Fëmijë dhe nxënës në protesta kundër shqipes

Fëmijë dhe nxënës në protesta kundër shqipes
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:20 0:00

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim mbrojnë qëndrimin se përmbajtja e ligjit nuk duhet të ndryshojë, ndërsa kanë shprehur indinjatën për reagimet e palës maqedonase, në veçanti të opozitës, e cila ka paraqitur amendament për ndryshimin e tij.

“Ky është një dështim total i elitës politike maqedonase, e cila imponon debat mbi këtë çështje kaq të ndjeshme dhe kaq të padhimbshme për shoqërinë. Por, ky ligj tashmë po zbatohet dhe shohim se vendit nuk i ka ndodhur as edhe një gjë e vetme e keqe, përkundrazi shqiptarët janë bërë më lojalë ndaj shtetit për arsye se shteti është bërë më lojal ndaj shqiptarëve”, ka deklaruar deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Njohësit e çështjeve politike thonë se reagimet e fuqishme të aktorëve politik janë pasojë e dështimit të tyre që Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike ta miratojnë me konsensus, andaj edhe tani theksohen ndarjet etnike. Sipas ekspertëve, deklarata të tilla nxitëse do të dëgjojmë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Është e vërtetë se afrimi i zgjedhjeve i jep dinamikë, dramatizon, por edhe nxit reagimet radikale. Dhe kjo, para së gjithash, vjen në shprehje në elementin etnik, veçanërisht te VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja, në kuptimin se këto dyja edhe në të kaluarën kanë ditur të nxisin tensione ndëretnike me të vetmin qëllim që të përfitojnë vota në llogari të tyre. E gjithë kjo është pasojë e asaj se partitë nuk arritën të gjejnë forcë që Ligjin e gjuhëve ta miratojnë me konsensus”, thotë Aleksandar Kërzhallovski nga Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Ekspertët thonë se është për të ardhur keq që edhe pas 30 vjetësh demokraci, elementi etnik dominon skenën politike, në vend se partitë të punojnë për agjenda tjera për forcimin e demokracisë, të tolerancës dhe në ngritjen e cilësisë së jetës.

Marsim Maksuti, profesor i së Drejtës Kushtetuese dhe njohës i çështjeve politike, thotë se sikur Komisioni i Venecias të kishte një vlerësim më të drejtë, ndoshta partitë nuk do të arrinin që sërish ta kthejnë në skenë aspektin etnik.

“Ne jemi në prag të zgjedhjeve dhe fatkeqësisht po shoh se edhe pas 30 vjet demokraci përsëri po del në sipërfaqe karta nacionaliste e partive politike. Pra, për fat të keq karta nacionaliste po zë vendin kryesor për të fituar zgjedhjet. Kjo është ajo që e shoh me dhimbje, pasi ligji për gjuhët sërish është ai që po i përplas partitë e njërit apo krahut tjetër. Kjo ndoshta është edhe si rezultat i vlerësimit jo të drejtë nga Komisioni i Venecias. Pse u iniciua pikërisht në këtë moment? Apo çfarë ndodh, që besoj se janë çështje që duhet shikuar më mirë”, vlerëson Maksuti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG