Ndërlidhjet

Privatizimi nuk kursen tokat bujqësore


Pamje nga fshati Drenoc.
Pamje nga fshati Drenoc.

Sipërfaqet e tokave bujqësore në pronë publike në Kosovë nuk janë kursyer gjatë procesit të privatizimit. Rreth 30 mijë hektarë tokë bujqësore asete të ish-ndërmarrjeve shoqërore janë shitur gjatë procesit të privatizimit, kurse rreth 26 mijë hektarë sipërfaqe të tokës kanë mbetur pa u privatizuar, thonë zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Agjencia Kosovare e Privatizimit, përmes, siç quhen valëve të privatizimit, në vazhdimësi ka shpallur në shitje sipërfaqe të ndryshme të tokës bujqësore.

Në një raport të Agjencisë Kosovare të Privatizimit të publikuar në muajin nëntor të këtij viti, thuhet se janë privatizuar 663 toka bujqësore dhe toka të kategorive të tjera, pa specifikuar sipërfaqen. Nga ky numër thuhet se 595 janë tokë bujqësore, kurse 68 toka të kategorive tjera.

*Video nga arkivi: Betonohet toka bujqësore

Betonohet toka bujqësore
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

E gjithë kjo sipërfaqe, sipas raportit të AKP-së, është shitur për rreth 164 milionë euro.

Nga mbjellja dhe kultivimi i kulturave bujqësore, këto toka tashmë janë kthyer në hapësira biznesi apo në lagje banimi, thonë përfaqësues të bujqve në Kosovë.

Ata shprehen të shqetësuar me shitjen e tokës sipas tyre, tokat e privatizuara bujqësore tashmë u është ndërruar destinimi dhe në këtë mënyrë, po zvogëlohet sipërfaqja mesatare e tokës bujqësore për kokë banori.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se pikërisht privatizimi i tokës bujqësore ka bërë që të zvogëlohen edhe hapësirat e mbjella me drithëra, pasi në këto sipërfaqe janë ndërtuar objekte të ndryshme, të cilat nuk krijojnë ndonjë leverdi as në aspektin ekonomik e as bujqësor.

Ai tregon se Federata Sindikale e Bujqve ka kërkuar nga organet kompetente që të ndalojnë privatizimin e tokave bujqësore.

“Tokat janë shitur me një çmim shumë të lirë, madje mund të them se parcelat e shitura janë falë. Pronarët që i kanë blerë këto parcela, që 15 vjet nuk i punojnë fare sepse kanë biznese tjera më të leverdishme. Disa parcela janë keqpërdorur duke u shitur për biznese të llojeve të ndryshme”, thotë ai.

Tahiri thotë po ashtu se tokat që kanë qenë rreth autostradave janë shitur për biznese të llojeve të ndryshme duke ndërruar destinimin.

“Do të thotë është bërë një keqpërdorim shumë i madh”, thekson ai.

Sipas një raporti të mëhershëm të Ministrisë se Bujqësisë, është thënë se për një ari tokë, çmimi mesatar ka qenë 34 euro, kurse për një hektar 3.400 euro.

Privatizimin e tokave e quan vendim të gabuar edhe Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës. Ai thotë se sipërfaqet e tokës duhet të sigurohen për investitorë potencialë, kryesisht ata të huaj.

“Do të ishte mirë që qeveria e ardhshme të ndalojë më ligj privatizimin e tokave bujqësore me qëllim që të njëjtat të ruhen për qëllime ekonomike, respektivisht për tërheqjen e investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë”, tha Bektashi.

Ndërkaq, Tahir Tahiri thotë se Federata Sindikale e Bujqve po pret krijimin e qeverisë së re, në mënyrë që të kërkojë edhe zyrtarisht ndalimin e procesit të privatizimit për tokat bujqësore.

“Dëmet e shkaktuar nga ky privatizim vështirë se mund të riparohen me dekada. Po presim që të formohet qeveria e re dhe ne do kërkojmë nga qeveria që të merren hapat konkretet dhe të mundohen të sanohen dëmet e shkaktuara në rastin e privatizimit të tokave”, thotë Tahiri.

Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017, kishte marrë vendim për të pezulluar përkohësisht për një afat njëvjeçar, privatizimin e tokave në pronësi shoqërore, në mënyrë që të verifikohen nevojat që kanë institucionet shtetërore për prona, me qëllim të nxitjes se zhvillimit ekonomik dhe investimeve.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG