Shkrimtari dhe laureati i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke është shpallur person i padëshiruar (non-grata) në Kosovë.
Këtë e ka konfirmuar përmes një postimi në Twitter, ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli.
“Sot kam vendosur ta shpall Peter Handke si persona non-grata në Kosovë për shkak të mbështetjes që ai i dha Millosheviçit dhe politikave të tij gjenocidale në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë dhe mohimin e gjenocidit të kryer nga Serbia. Ai dhe Komiteti i Nobelit treguan mos-respekt ndaj viktimave të gjenocidit”, ka shkruar Pacolli.
Ndarja e Çmimit Nobel për shkrimtarin Handke ka shkaktuar zemërim në Ballkan dhe më gjerë, për shkak se ai kishte mbështetur zëshëm ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq gjatë luftërave në ish-Jugosllavi në vitet 1990.
Turqia, Kroacia, Kosova, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina e anuluan pjesëmarrjen ne ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel në Stokholm të Suedisë më 10 dhjetor.