Ndërlidhjet

Nis transferimi i migrantëve nga Vuçjaku


Vuçjak, 10 dhjetor 2019.
Vuçjak, 10 dhjetor 2019.

Në Bosnje dhe Hercegovinë nisi të martën transferimi i migrantëve nga kampi i improvizuar Vuçjak në një qendër të përkohshme pranimi, afër Sarajevës.

Nermina Qemaloviq, ministre e Shëndetësisë në Kantonin Una-Sana, ku edhe ndodhet Vuçjaku, tha se çdo gjë po shkon sipas planeve.

Kryeministri i këtij kantoni, Mustafa Ruzhniq, nuk u deklarua për media, ndërsa për nesër paralajmëroi konferencë shtypi.

Autoritetet në Bosnje janë përballur me kritika nga grupet e të drejtave të njeriut dhe Bashkimi Evropian për kushtet e rënda në kampin Vuçjak.

Kampi, i cili ndodhet në afërsi të një zone me mina, që kanë mbetur nga lufta e viteve 1992-95, nuk ka as ujë, as energji elektrike, tualete apo shtretër.

Për disa muaj, atje kanë jetuar rreth 600 migrantë.

Me afrimin e dimrit, presioni për mbylljen e Vuçjakut është rritur dhe përfaqësuesja e lartë për të drejta të njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, ka paralajmëruar javën e kaluar se "njerëzit në Vuçjak do të fillojnë të vdesin".

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, në Bosnje aktualisht ndodhen rreth 7,500 migrantë - kryesisht të ikur nga luftërat në Lindjen e Mesme.

Migrantët që synojnë të arrijnë në Evropë, shpesh hyjnë në Bosnje përpara se të kalojnë në Kroaci - vend anëtar i Bashkimit Evropian - dhe të vazhdojnë më pas tutje më në perëndim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG