Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov do të udhëtojë për në Uashington, ku pritet të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, thanë zyrtarët.
The Washington Post dhe AP kanë cituar zyrtarë të lartë amerikanë të kenë thënë se Lavrov do të takohet me sekretarin Pompeo më 10 dhjetor dhe pas takimit, dy zyrtarët pritet të mbajnë edhe një konferencë për media.
Zyrtarët thanë se dy diplomatët do të bisedojnë për Ukrainën, Sirinë, kontrollin e armëve dhe çështje të tjera që lidhen me tensionimin e marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova më herët ka thënë se takimi i Lavrovit “po përgatitet” për 10 dhjetor, duke mos dhënë më shumë detaje.
Pompeo dhe Lavrov janë takuar disa herë vitin e fundit dhe kanë zhvilluar edhe disa biseda telefonike.
Lavrov dhe ambasadori i atëhershëm rus në Uashington, Sergei Kislyak, në maj të vitit 2017, ishin takuar me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Është ende e paqartë nëse Lavrov do të takohet me presidentin Trump gjatë kësaj vizite.