Ndërlidhjet

Shumica e ekspertëve të ligjit thonë se Trump duhet të shkarkohet


Presidenti amerikan, Donald Trump
Presidenti amerikan, Donald Trump

Nuk ka dyshim se veprimet e presidentit amerikan, Donald Trump, kërkojnë që ai të largohet nga zyra, thanë tre ekspertë të ligjit kushtetues amerikan, që dëshmuan para Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Të tre ekspertët i përshkruan përpjekjet e Trumpit për të kërkuar ndihmë nga një vend i huaj si krim dhe e akuzuan atë për pengimin e drejtësisë.

Para Komitetit për Drejtësi, në total dëshmuan katër ekspertë: tre të zgjedhur nga demokratët dhe një nga republikanët.

I fundit tha se veprimet e Trumpit kanë qenë gabim, por jo për ta larguar nga zyra.

Procedura për shkarkimin e Trumpit, e cila në anglisht njihet si “impeachment”, ka nisur në shtator nga demokratët, pasi një informator është ankuar në Kongres, duke thënë se Trump i ka telefonuar presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe i ka kërkuar që ta hetojë rivalin e tij demokrat, Joe Biden, për korrupsion në Ukrainë.

Biden mund të jetë sfidues i mundshëm i Trumpit në zgjedhjet e vitit 2020.

Trump thuhet se e ka kushtëzuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, në këmbim të hetimeve kundër Bidenit.

Trump e mohon çdo keqbërje, por kërkimi i ndihmës nga jashtë për të fituar zgjedhjet në SHBA, është akt i paligjshëm.

Akuzat që po i shqyrton tani Komiteti për Drejtësi i Kongresit amerikan, janë: shpërdorimi i pushtetit, pengimi i drejtësisë dhe shpërfillja e Kongresit.

Katër profesorët që dëshmuan para Kongresit, ishin: Pamela Karlan, Noah Feldman dhe Michael Gerhardt të zgjidhur nga demokratët, ndërsa Jonathan Turley u zgjodh nga republikanët.

Ata e interpretuan klauzolën e “impeachment”-it në Kushtetutë, e cila lejon që presidenti të largohet nga zyra për shkak të "krimeve dhe kundërvajtjeve".

Profesori Feldman tha se "provat qartazi përbëjnë një shkelje të padiskutueshme”, sepse ndërveprimet e Trumpit me Ukrainën “tregojnë se ai i ka përdorur kompetencat e presidencës për përfitime politike personale".

“Kur presidenti Trump ftoi, në fakt kërkoi përfshirjen e huaj në zgjedhjet tona të ardhshme, ai goditi në zemër atë që e bën këtë republikë dhe së cilës i zotohemi me besnikëri", tha profesorja Karlan.

Trump i sulmoi masat mbrojtëse kundër monarkisë në këtë vend, deklaroi profesori Gerhardt.

Profesori Turley, i cili u zgjodh nga Partia Republikane e Trumpit, tha se nuk pajtohet me sjelljen e presidentit, por shtoi se “kjo nuk është mënyra se si një president amerikan duhet të shkarkohet”. Ai po ashtu i paralajmëroi demokratët për vendosjen e një “precedenti të rrezikshëm”.

Për presidentin Trump, hetimet kundër tij janë “gjueti shtrigash” nga demokratët dhe disa media.

Demokratët, ndërkaq, synojnë të mbajnë një votim për “impeachment” në Dhomën e Përfaqësuesve para fundit të vitit, ndërsa gjykimin e mundshëm në Senat mbase në janar të vitit 2020.

Çfarë është “impeachment”?

“Impeachment” do të thotë të ngresh akuza në Kongres, që do të përbëjnë bazën për gjykim.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara thotë se një president largohet nga detyra për “tradhti, ryshfet, shkelje të rëndë ose kundërvajtje të tjera”.

Procedura për shkarkim zhvillohet në dy faza. Nis me seanca dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, nëse miratohet me shumicë të thjeshtë, procesi kalon në Senat, ku edhe mbahet gjykimi.

Në Senat, pastaj, duhen dy të tretat e votave për largimin e presidentit nga detyra dhe një gjë e tillë nuk është arritur kurrë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Senati aktualisht kontrollohet nga Partia Republikane.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG