Një amendament i ligjit ekzistues për mediat në Rusi, që konsiderohen "agjentë të huaj", e rrit presionin mbi qindra korrespondentë të Radios Evropa e Lirë në Rusi, tha presidenti i REL-it, Jamie Fly.
Ligji i ndryshuar, i nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, më 2 dhjetor, u jep autoriteteve ruse fuqinë për t'i etiketuar reporterët që punojnë për organizatat e listuara si "agjentë të huaj".
Nëse ndonjë media e huaj shkel rregullat e Rusisë, normat e reja u lejojnë autoriteteve t'i bllokojnë ueb-faqet e "agjentëve të huaj".
Nëntë platforma raportimi të Radios Evropa e Lirë janë listuar si "agjentë të huaj" pas miratimit të ligjit fillestar në vitin 2017, i cili kërkon që të gjitha OJQ-të që marrin fonde nga jashtë, të regjistrohen si "agjentë të huaj" në Ministrinë ruse të Drejtësisë.
"Radio Evropa e Lirë punon me qindra korrespondentë rusë në të gjithë vendin, që janë shpëtim për komunitetet lokale, të privuara nga lajmet, dhe që trajtojnë çështje të rëndësishme, që injorohen nga media shtetërore. Por, me këtë ligj (të amendamentuar), ata mund të konsiderohen, në mënyrë absurde, 'agjentë të huaj'", tha Jamie Fly, president i Radios Evropa e Lirë.
Zyrtarët rusë thonë se ligji është një "përgjigje simetrike", pasi kanalit të financuar nga shteti rus RT - të cilin autoritetet amerikane e akuzojnë për përhapje të propagandës - i është kërkuar të regjistrojë njësinë e tij operative në SHBA nën Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA-së.
Kritikët thonë se ligji rus mund të shfrytëzohet për të kufizuar lajmet dhe për të shkurajuar shkëmbimin e lirë të ideve.