Në Gjermani dhe Zvicër jetojnë numri më i madh i qytetarëve që kanë emigruar nga Kosova përgjatë dekadave të fundit. Periudha kohore nga viti 1990 deri në vitin 1999, përbën fazën e migrimit me një frekuencë më të lartë në këto dy vende dhe vendet tjera evropiane.
Kështu është thënë gjatë publikimit të rezultateve preliminare të regjistrimit të diaporës sipas ndarjes administrative dhe territoriale nëpër shtete të vendeve të Bashkimit Evropian, të prezantuara nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve në Qeverinë e Kosovës.
Procesi i regjistrimit të diasporës, ka filluar në vitin 2014 në mënyrë fizike dhe elektronike, kurse nga viti 2017, ky proces është duke u realizuar vetëm në mënyrë elektronike. Regjistrimi i diasporës pritet të përfundojë në vitin 2021.
Qëllimi i regjistrimit është evidentimi i numrit të saktë të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, shtrirja e tyre gjeografike, struktura demografike në funksion të ruajtjes së identitetit kulturor, gjuhësor dhe arsimor.
Pjesë e këtij regjistrimi është çdo person që ka vendbanim apo vendqëndrim jashtë Republikës së Kosovës, që ka lindur ose ka prejardhje nga Kosova.
Gjatë publikimit të të dhënave, Kadri Sojeva ekspert i demografisë i përfshirë në projektin e regjistrimit, tha se Gjermania prin për kah numri i qytetarëve nga Kosova që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet.
“Gjermania ka 37 për qind të emigrantëve nga Kosova, Zvicra rreth 30 për qind, kurse me shifrat nën 5 (pesë) për qind pasojnë shtetet si Italia, Suedia Franca, Sllovenia etj. Do të thotë jemi në 10 shtetet me frekuencën më të madhe të qytetarëve në diasporë. Struktura gjinore e tyre është 55 për qind meshkuj dhe mbi 44 për qind gra”, tha Sojeva.
Rifat Blakaj, një ekspert tjetër për çështje demografike i përfshirë në këtë projekt, tha se vetëm në shtetin e Gjermanisë, sipas të dhënave zyrtare, jetojnë rreth 430 mijë qytetarë nga Kosova, kurse në Zvicër rreth 400 mijë qytetarë. Në këto dy shtete, thotë ai, janë të regjistruara 6000 biznese të qytetarëve nga Kosova.
Blakaj tha se ky proces edhe pse i vonuar, është i domosdoshëm, pasi natyra e emigrimit ka qenë e parregullt në dekadat e fundit, në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Kur merret parasysh numri i përgjithshëm i popullsisë, Kosova ka normën më të lartë dalëse në shkallë evropiane, respektivisht migracionin. Dihet për shkak të kaluarës së pafat historike. Prandaj, këto publikime kanë rëndësi kruciale edhe për të tashmen, por edhe për të ardhmen e Kosovës, sepse sjellin shume të dhëna statistikore, ekonomike, demografike, sociologjike dhe financiare në mënyrë reale, objektive dhe të besueshme, të krahasueshme dhe të matshme”, tha Blakaj.
Ndërkaq, zëvendësministri në largim i Ministrisë se Diasporës, Isni Kilaj, tha se regjistrimi i diasporës ishte mëse i nevojshëm për institucionet e Kosovës.
“Është shumë me rëndësi për ne si komb që të kemi një regjistër, të kemi një numër të përafërt të qytetarëve që jetojnë, qoftë përkohësisht apo atyre që kanë marrë shtetësinë e qytetarëve të shteteve përkatëse”, tha Kilaj.
Qytetarët e Kosovës të cilët kanë emigruar në vende të ndryshme të botës, sipas vlerësimeve nga aspekti ekonomik, kanë ndihmuar vendin e tyre për vite me radhë.
Dërgesat e emigrantëve kosovarë që në vit arrijnë shifrën e mbi gjysmë miliard euro, vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.