Ndërlidhjet

Daçiq: Dialogu nuk vazhdon derisa të hiqet taksa


Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se nuk mund të ketë vazhdim të dialogut (Kosovë - Serbi) derisa bashkësia ndërkombëtare nuk i bën presion Prishtinës dhe derisa nuk hiqet taksa ndaj mallrave serbe.

I pyetur lidhur me paralajmërimet për emërimin e një përfaqësuesi të posaçëm evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Daçiq tha se “është shefi i ardhshëm i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, është ai i cili duhet të jetë në vendin e përfaqësuesit evropian dhe se ai do të jetë kryesori”.

"E gjithë historia e një përfaqësuesi special për dialog në lidhje me Ballkanin Perëndimor u inicua nga pakënaqësia në disa vende evropiane, para së gjithash në Gjermani, për mënyrën siç ka punuar Federika Mogerini", tha Daçiç kur u pyet nëse Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Mirosllav Lajçak do të jetë përfaqësues i posaçëm.

Megjithatë, sipas Daçiqit nëse do të ketë një përfaqësues të posaçëm, atëherë ai mesiguri do të jetë ndonjë ish-kryeministri ose shef i diplomacisë së ndonjë vendi të BE-së.

Shtetet e Bashkuara, më 4 tetor, emëruan ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, si të dërguar presidencial për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu është ndërprerë në nëntor të vitit të kaluar, pasi autoritetet në Kosovë vendosën taksë ndaj mallrave serbe, si kundërpërgjigje ndaj një fushate të Beogradit për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Dialogu që synon arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, ishte lehtësuar nga Bashkimi Evropian përkatësisht shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG