Ndërlidhjet

Serbia po heton një incident spiunimi që mund të përfshijë Rusinë


Pamje nga videoja me titull: Zyrtari i inteligjencës ruse duke takuar një spiun serb”.
Pamje nga videoja me titull: Zyrtari i inteligjencës ruse duke takuar një spiun serb”.

Serbia ka thënë se është duke hetuar raportimet për një incident me një spiun ku përfshihet Rusia, pasi në një video të postuar në rrjetet sociale shihet një diplomat rus duke i dhënë ryshfet një personi, që është thënë se është anëtar i lartë i Shërbimit sekret të Sigurisë.

Kryeministrja serbe, Ana Bërbiq ka thënë më 20 nëntor se agjencia ushtarake e inteligjencës është udhëzuar që të hetojë pretendimet se një person që është incizuar duke dhënë ryshfet është agjent i inteligjencës ushtarake ruse.

Videoja e postuar në YouTube më 17 nëntor nga një llogari me emrin, ‘Kdjuey Lskduf’ është titulluar “Zyrtari i inteligjencës ruse duke takuar një spiun serb”.

“Po pres informacione të reja. Unë jam në kontakt me presidentin (Aleksandar Vuçiq). Nëse është e vërtetë, është problem serioz”, ka thënë ajo.

Në pamje shihet diplomati rus duke i dhënë agjentit serb një qese plastike gjatë takimit në Beograd. Më vonë serbi shihet duke nxjerrë një zarf me para nga qesja e njëjtë.

Televizioni publik serb ka raportuar se Agjencia Shtetërore e Inteligjencës ka konfirmuar vërtetësinë e videos.

Relja Zheljski, analist në këtë agjenci ka thënë për transmetuesin publik se është konfirmuar që agjenti rus është pjesë e videos.

Zeljski megjithatë nuk ka dhënë hollësi për identitetin e personit.

Zyrtarët kanë thënë që më shumë informacione do të bëhen të ditura pas një takimi që do të mbahet më 21 nëntor në Këshillin për Siguri Kombëtare.

Më 21 nëntor Vuçiq pritet të takohet edhe me ambasasorin rus, Aleksandr Bocan Harchenko.

Christo Grozev, anëtar i grupit hulumtues me bazë në Britani, Bellingcat, ka identifikuar njërin nga personat e parë në video si zëvendës-atasheun ushtarak rus, Georgy Kleban.

Ministria e Jashtme e Serbisë ka thënë se Kleban ka qenë ndihmës i dërguari i mbrojtjes në ambasadën ruse në Beograd deri në qershor të vitit 2019.

Radio Evropa e Lirë i ka kërkuar ambasadës ruse në Beograd nëse mund të konfirmojë që personi, i cili duket në video është Kleban dhe cili është statusi i tij aktual.

Ambasada nuk është përgjigjur ende.

Serbia është duke synuar anëtarësim në Bashkimin Evropian mirëpo mbetet aleate e ngushtë me Moskën dhe është zotuar se do të mbesë ushtarakisht neutrale, pavarësisht pse vendet e Ballkanit kërkojnë anëtarësim në NATO.

Beogradi po ashtu ka refuzuar që t’i bashkohet perëndimit në vënien e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të rolit të kësaj të fundit në Ukrainë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG