Ndërlidhjet

Lirimi Janevës nxit akuza mes prokurorisë dhe gjykatës


Ish-kryeprokurorja Speciale të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva
Ish-kryeprokurorja Speciale të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva

Lirimi nga paraburgimi i ish-kryeprokurores Speciale të Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva, ka vënë sërish në sprovë reformat në gjyqësor, në veçanti pas hapjes së debatit për vettingun, apo procesin e verifikimit të pastërtisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ish-kryeprokurorja Speciale për tre muaj është mbajtur në paraburgim si e akuzuar për rastin “Reketi”.

Vendimi i Gjykatës së Apelit në Shkup për të liruar Janevën për shkaqe shëndetësore dhe pas ofrimit të garancive të shumta materiale, ka nxitur reagimin e ashpër të prokurores për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskoska, e cila madje siç bëhet e ditur nga Gjykata e Apelit ka fyer njërin nga gjykatësit e saj duke e kërcënuar edhe me “kontrolle financiare”, për shkak të lirimit të ish-kryeprokurores Speciale. Ruskoska gjithashtu ka shprehur dyshime mbi gjendjen shëndetësore të Janevës duke ngritur pyetjen se nëse ka qenë e sëmurë atëherë pse nuk ka dhënë dorëheqje deri sa ishte në postin e kryeprokurores Speciale?

“Paraburgimi nuk është dënim, por masë sigurie, andaj vendimi është tërësisht ligjor”, thuhet në reagimin me shkrim të Irena Fërçkoska, avokate e Janevës.

Edhe kryeministri Zoran Zaev, ka thënë se paraburgimi pavarësisht se për këtë bëhet fjalë, nuk duhet nënkuptuar si dënim me burg, por si masë sigurie që mund të jetë e llojeve të ndryshme. Ai ka përsëritur qëndrimin për vetting, si një proces, që sipas tij, do të mëkëmbë të gjitha institucionet në vend.

Nga VMRO DPMNE-ja opozitare kanë thënë se bëhet fjalë për një skenar të pushtetit dhe marrëveshje paraprake për lirimin e Janevës, që si mundësi ishte paralajmëruar edhe nga kryeministri Zav në takimin e fundit të liderëve të partive politike.

“Është më se e qartë se ajo që pamë mbrëmë është vetëm se teatër dhe skenar i paramenduar mirë. Lirimi nga paraburgimi i Katica Janevës është vendim i turpshëm dhe qesharak. Nuk mund të ketë asnjë veshje që do të mbulonte turpin e gjyqësisë së Kacarkës dhe prokurorisë së Ruskoskës. Fillimisht mohonin se ka ekziston skandali, pastaj mohonin përfshirjen e politikëve në këtë rast, që më në fund të pranojnë se vërtetë kishte zhvatje dhe në të janë përfshirë politikanë dhe prokurorë. Është për të ardhur keq kjo që po ndodhë në gjyqësor”, ka deklaruar Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO DPMNE-së.

Aleanca për Shqiptarët në opozitë në reagimin e saj akuzon gjyqësorin për standarde të dyfishta. “Ka pasur dhjetëra raste të të burgosurve shqiptar për raste të montuara politike, ndaj të cilëve po e njëjta Gjykatë ka refuzuar të jep masën e arrestit shtëpiak. Ky sistem drejtësie, me gjykatës dhe prokuror partiak, të zgjedhur nga zyrat partiake VMRO-BDI-LSDM po bëhen pengesa kryesore që rrezikon jetën e mirëfilltë në vend, sigurinë e qytetarëve si dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.

Për një pjesë të ekspertëve, pas vendimit për lirimin e Janevës, në vend më nuk ka nevojë të ketë masë të paraburgimit.

“Lirimi i Katica Janevës e bënë jo funksional sistemin e drejtësisë, por gjithashtu i hapë mundësinë rritjes së korrupsionit sepse çdokushmund të korruptohet dhe të vjedhë miliona dhe të lëshohet në arrest shtëpiak. Ky veprim zemëron qytetarët pasi më nuk ka arsyeje se pe të akuzuarit për vepra të ndryshme të qëndrojnë në paraburgim. Si do të ndjehen ata që kanë shkaktuar dëme prej 500 apo 1000 euro dhe mbahen në paraburgim”, ka deklaruar Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike.

Për rastin “Reket” përveç ish kryeprokurores Katica Janeva akuzohen edhe Bojan Jovanovskit i njohur si “Boki 13" dhe Zoran Milevski. Ata, duke shfrytëzuar lidhjet me ish-prokuroren Speciale kanë marrë 1.5 milion euro nga biznesmeni, duke i premtuar masa lehtësuese në një proces tjetër gjyqësor, që po zhvillohet kundër tij.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG