Maqedonia e Veriut vazhdon të boshatiset nga ajo që njihet si “truri”, përkatësisht kuadri i kualifikuar i profileve të ndryshme, por në masë të madhe edhe nga njerëz të tjerë, kryesisht të papunë dhe të tjerë, të cilët me të ardhurat e ulëta nuk mund të sigurojnë kushtet minimale për jetë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Diasporës, në Gjermani ndodhen më shumë se 100 mijë shtetas, në Itali rreth 80 mijë, në Zvicër mbi 60 mijë, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë në vende tjera të Bashkimit Evropian. Të dhënat nuk tregojnë kohën e vendosjes së tyre në këto shtete.
Sipas një hulumtimi të organizatave joqeveritare të emëruara si “Rrjeti për pengimin e largimit të njerëzve të arsimuar”, 76 për qind e të rinjve të moshës prej 15 deri 29 vjeç tashmë kanë ikur nga shteti në kërkim të një jete më të mirë. Shkaqet për këtë janë pakënaqësia nga kushtet në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, e para së gjithash papunësia.
“Faktori ekonomik edhe më tej është më i rëndësishmi, por jo edhe i vetmi. Çështja e shpërnguljes është komplekse, pra ka edhe aspekte tjera. Një studim i fondacionit 'Fridrih Ebert', nxjerr edhe këtë të dhënë; 48 për qind e të rinjve kanë deklaruar se largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë apo standard më të lartë jetese, pra për paga më të mira, por edhe kërkesa tjera që ata vlerësojnë se mund t'i gjejnë diku tjetër”, thotë Ivan Jovanov, nga organizata “Rrjeti për pengimin e largimit të njerëzve të arsimuar”.
Drejtuesit e institucioneve thonë se janë të vetëdijshëm me migrimin e popullatës dhe se kjo, sipas tyre, vërehet në arsim ku çdo ditë e më shumë ulet numri nxënësve në shkollimin fillor dhe të mesëm, ndërsa edhe në universitete ka fakultete ku nuk plotësohen vendet e lira.
Nga Ministria e Arsimit thonë se kanë ndërmarrë masa në arsimin e mesëm duke i harmonizuar drejtimet profesionale me nevojat e tregut dhe të kompanive, që menjëherë pas mbarimit, të munden të sigurojnë vende pune.
Gjithashtu, janë ndërmarrë masa edhe për arsimin e lartë me sigurimin e bursave për studentët.
“Në bashkëpunim me kompanitë private, me odat ekonomike kemi bërë reformimin e tërësishëm të arsimit të mesëm profesional me të vetmin qëllim që nxënësit pas diplomimit në arsimin e mesëm profesional, të mund menjëherë të kyçen në kompanitë dhe kapacitetet prodhuese”, ka deklaruar Safet Neziri, sekretar shtetëror në Ministrinë e Arsimit.
Nga Agjencia për Migrim që vepron në kuadër të Ministrisë së Diasporës, thonë se do të jetë e vështirë që të parandalojnë këtë fenomen që ka përfshirë edhe vende tjera, por të paktën, sipas kësaj agjencie, do të ishte mirë që shteti dhe shoqëria të mund të përfitojnë nga përvoja e arritur nga të larguarit jashtë vendit.
“Mendoj se është pak vonë që të punojmë vetëm në drejtim të asaj që të pengojmë migrimin e të rinjve, por duhet të mendojmë dhe të hartojmë një strategji reale se si të përfitojmë nga ata që janë larguar dhe të shfrytëzojmë kapacitetet e tyre për të mirën e vendit, qoftë në politikë, ekonomi, turizëm apo sfera tjera. Është hartuar një strategji kombëtare për vendosjen e komunikimit me ata që janë larguar”, thotë Nikolla Shalvarinov, drejtor i Agjencisë për Migrim.