Ndërlidhjet

SHBA: I "papërgjegjshëm" propozimi për të gjykuar të burgosurit e IS-it në Irak


Nathan Sales, koordinator për kundër-terrorizëm në Departamentin amerikan të Shtetit.
Nathan Sales, koordinator për kundër-terrorizëm në Departamentin amerikan të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar “të papërgjegjshëm” propozimin francez për të gjykuar mijëra ekstremistë të burgosur në Irak, teksa Uashingtoni dhe aleatët e tij evropianë janë përplasur rreth asaj se çfarë duhet të bëhet me mijëra ekstremistë që janë duke u mbajtur në Siri.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se shtetet evropiane dhe vendet tjera që luftojnë grupin ekstremist, Shteti Islamik (IS), duhet të kthejnë dhe gjykojnë personat e vendeve të tyre që janë ndaluar në Irak dhe Siri, për të parandaluar grupin në rimarrjen e territorit në shtetet e shkatërruara nga lufta.

“Anëtarët e koalicionit duhet të kthejnë mijëra luftëtarë të huaj që janë në mbajtje dhe t’i mbajnë përgjegjës për mizoritë që kanë kryer”, ka thënë Pompeo.

Zyrtarë nga më shumë se 30 shtete janë takuar për të diskutuar çështjet rreth ekstremizmit në një samit të Uashingtonit, të propozuar nga Franca, e cila ka shprehur shqetësim për vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump që të tërheqë trupat amerikane nga Siria një muaj më parë.

Ky hap i ka lejuar Turqisë të krijojë zonë të sigurt në kufi me Sirinë, duke iu kërkuar kurdëve sirianë, që janë aleatë të SHBA-së, që të largohen nga kjo zonë.

Kurdët kanë qenë duke ruajtur të burgosurit e IS-it, prandaj janë rritur shqetësimet se shumë ekstremistë mund të ikin gjatë trazirave.

Franca, Britania dhe kombe tjera evropiane, bashkë me ato në Azinë Qendrore kanë hezituar të kthejnë luftëtarët militantë në shtetet e tyre.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka thënë se qeveria e tij ka favorizuar “ndalimin afatgjatë” të luftëtarëve dhe se shumica e të burgosurve janë irakianë apo sirianë.

“Sa na përket neve, ne do të vazhdojmë të themi që ata duhet të gjykohen sa më afër krimeve që kanë kryer”, u ka thënë ai gazetarëve.

Nathan Sales, koordinator për kundër-terrorizëm në Departamentin amerikan të Shtetit, ka pranuar se pas takimit “ekziston dallim në mendime sa i përket mënyrës se si duhet zgjidhur ky problem” mes aleatëve.

“Shtetet e Bashkuara mendojnë se është e papërshtatshme që t’i kërkojmë Irakut të pranojë luftëtarët e huaj sidomos nga Evropa. Do të ishte e papërgjegjshme për secilin shtet të presë që Iraku të zgjidhë atë problem për ata”, ka thënë ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG