Maqedonia e Veriut mbetet e hapur për bashkëpunim më të thellë ekonomik me Federatën Ruse, megjithëse kjo nuk do të thotë se vendi kërkon alternativë tjetër kundrejt procesit të integrimit në BE dhe NATO, ka theksuar kryeministri i Zoran Zaev.
Ai këto komente i bëri në kuadër të forumit ekonomik mes Maqedonisë së Veriut dhe Federatës Ruse, i cili riaktivizohet pas pesë vjetësh përmes Komisionit ndër-qeveritar për bashkëpunim ekonomiko-tregtar dhe tekniko-shkencor.
Intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik mes Maqedonisë dhe Rusisë përfshin sektorin e transportit, atë të bujqësisë, energjetikës dhe sektorë të tjerë.
“Për mua Alternativë tjetër përpos NATO-s dhe BE-së nuk ekziston. Këtë na e ka thënë populli ynë, përmes asaj se më shumë se 80 për qind e qytetarëve tanë janë për integrim të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE”.
“Është interes yni, siç është interes edhe i vendeve të BE-së dhe NATO-s, që të bashkëpunojmë me pjesën tjetër të botës. Ne bashkëpunojmë me Rusinë dhe me Kinën, edhe me Lindjen e Mesme si dhe me shumë shtete aziatike, siç janë India dhe shumë shtete tjera, për shkak se kjo sjell benifite për popullatën tonë”, ka deklaruar Zaev.
Por, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se shtrirja e Rusisë përmes investimeve gjithnjë e më shumë bëhet e pranishme në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tyre, për çdo ditë që mbetet jashtë strukturave të Bashkimit Evropian, Rusia dhe Kina do të synojnë që ta shfrytëzojnë për të shtrirë influencën e tyre dhe se ekonomia është dera më e sigurt përmes së cilës Rusia mund të shtrijë ndikimin.
“Të gjitha proceset që po ndodhin në politikat e BE-së kanë një efekt anësor për Bosnjë e Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut, ku raportet ndëretnike vazhdojnë të jenë një nga elementet e politikës së jashtme të Rusisë. Mendoj se pikërisht për këtë Bashkimi Evropian duhet t`i përfundojë të gjitha proceduarat e zgjerimit dhe të ketë një qasje të re për sa i përket zgjerimit”, thekson Selim Ibrahimi nga Qendra për Studime të Sigurisë dhe Zhvillim në Maqedoninë e Veriut.
Përderisa profesori universitar Lazar Lazarov, thotë për Radion Evropa e Lirë se forcat e drejtuesve të institucioneve duhet të orientohen në përmbushjen e obligimeve që kërkohen nga Brukseli, si dhe intensifikimin e presionit diplomatik dhe jo krijimin e kushteve për përforcimin e bashkëpunimit ekonomik me Federatën Ruse.
“Nëse Evropa e humbet shansin që të inkorporojë vendet e Ballkanit perëndimor në BE, mund të ketë pasoja serioze sa i përket de-stabilitetit të Ballkanit, dhe krijohen mundësi përmes bashkëpunimit ekonomik që këto vende të orientohen kah Rusia dhe Kina. Së fundmi, ju e dini, Serbia ka nënshkruar dhe një marrëveshje për instalimin e sistemit special reaktor, që e ka përfaruar shumë Rusinë në këtë rajon”, thotë Llazarov.
Ndryshe, në kuadër të forumit ekonomik mes Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë është theksuar se këmbimi i përgjithshëm tregtar ndërmjet dy vendeve, duke iu referuar të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave gjatë 8 muajve të parë të këtij viti ka arritur vlerën prej 121.4 milionë dollarësh, përkatësisht kjo vlerë është më e lartë për 27 për qind krahasuar me vitin paraprak 2018.