Ndërlidhjet

Papa Françesku kërkon që fëmijëve t'iu sigurohet mbrojtje në internet


Papa Françesku. Foto nga arkivi.
Papa Françesku. Foto nga arkivi.

Papa Françesku tha se drejtuesit e kompanive të teknologjisë dhe investitorët, duhet të mbajnë përgjegjësi, nëse ata vendosin në rend të parë përfitimet financiare dhe jo mbrojtjen e fëmijëve, përfshirë edhe qasjen e lehtë në pornografinë në internet.

Papa i bëri deklaratat në hapje të një konference në Vatikan me temën "Promovimi digjital i dinjitetit të fëmijëve". Së bashku me grupet e mbrojtjes së fëmijëve, dhe zyrtarët e zbatimit të ligjit, pjesëmarrëse në konferencë ishin edhe kompanitë e mëdha si Apple, Google, Microsoft dhe Facebook.

"Kompanitë që ofrojnë shërbime interneti prej kohësh e konsiderojnë veten vetëm si furnizues të thjeshtë të platformave teknologjike, dhe jo përgjegjës moral apo ligjor për mënyrën e përdorimit të tyre", tha Françesku.

Sipas tij "përvoja e dhimbshme dhe tragjike" e Kishës me krizën e saj të abuzimeve seksuale, i dha asaj një detyrë “t'iu qaset këtyre çështjeve me një vizion afatgjatë".

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Australia i bën thirrje kompanisë "Facebook" të pezullojë planet për të koduar shërbimin e tij të mesazheve, duke thënë se kjo do të pengojë në luftën kundër abuzimit të fëmijëve dhe terrorizmit.

Abuzuesit e fëmijëve kanë përdorur gjithnjë e më shumë aplikacionet për mesazhe për të shënjestruar viktimat e tyre dhe për të shkëmbyer imazhe dhe video. Numri i imazheve të abuzimit seksual të fëmijëve është rritur nga mijëra në dhjetëra miliona në vetëm disa vjet, raporton Reuters.

Shefi ekzekutiv i Facebook-ut, Mark Zuckerberg ka thënë se është “optimist” që kompania do të jetë në gjendje të zbulojë abuzuesit, me të njëjtën mënyrë që e përdorë për të luftuar ndërhyrjet në zgjedhje.

Papa Françesku u bëri thirrje inxhinierëve të fuqizojnë mënyrat e përdorimit të inteligjencës artificiale dhe algoritmeve për të mbrojtur fëmijët në internet. Ai tha se ata duhet të ndjehen “personalisht përgjegjës për ndërtimin e së ardhmës”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG