Ndërlidhjet

Shkupi pret formimin e qeverisë së re në Madrid për të siguruar anëtarësim në NATO


Ilustrim
Ilustrim

Autoritetet e Shkupit shprehen se deri në dhjetor në Samitin e Aleancës Veri-Atlantike në Londër, protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO do të arrijnë ta ratifikojnë Parlamenti i Francës dhe ai i Holandës megjithëse shtojnë se Spanja do të mbetet këtë ta bëjë në fillim të vitit të ardhshëm që Maqedonia e Veriut më në fund të bëhet zyrtarisht anëtarja e 30-të në NATO.

Zëvendëskryeministrja e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, ka theksuar se nga Spanja vendi pret sinjal pozitiv pas seancës konstituive në parlamentin spanjoll.

“Sipas paralajmërimeve, seanca e parë e Parlamentit spanjoll duhet të jetë në fillim të dhjetorit. Çdo spekulim në këto rrethana, do të mbetet thjeshtë spekulim. Me shumë kujdes jemi duke i ndjekur zhvillimet, dhe në vazhdimësi e përcjellim porosinë se për ne si shtet është me shumë rëndësi që anëtarësimi i vendit në NATO të ndodhë sa më shpejtë”, ka deklaruar të martën Sheqerinska.

Shekerinska megjithatë ka theksuar se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, është sukses numër një për të ardhme e vendit dhe se ky sukses nuk duhet të rrezikohet.

“Këtij parlamenti duhet t'i japim shans që ta rrumbullakojë këtë proces me sukses” ka theksuar Shekerinska.

Njohësit e çështjeve politike theksojnë se partitë në pushtet në asnjë mënyrë nuk dëshirojnë që të futen në zgjedhje pa marrë Maqedonia e Veriut statusin e anëtares së plotfuqishme në NATO, duke lënë për shkak të kësaj dhe mundësinë e hapur që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara më 12 prill të prolongohen.

Anëtarësimi i vendit në NATO, theksojnë njohësit e çështjeve politike, për partitë në pushtet paraqet një letër inkurajuese që do ta përdorin gjatë fushatës pas dështimit që Maqedonia e Veriut të marrë datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se zgjedhjet në Spanjë prodhuan një rezultat që pak a shumë që ishte i pritshëm, por i cili nuk është shpresëdhënës që të formohet në një afat sa më të shkurtër qeveria e re Spanjës, me këtë dhe parlamenti spanjoll të ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO megjithëse shtojnë se kjo në variantin më optimist do të mund të ndodhë në pranverë.

“Megjithatë duhet të presim që të ndodhë ai varianti më optimist, që do të krijohen kushte për krijimin e qeverisë në Spanjë, por gjasat teorike që ratifikimi i protokollit në parlamentin spanjoll të kalojë para dhjetorit përkatësisht para Samitit të NATO-s në Londër tanimë nuk qëndrojnë",thotë për Radion Evropa e Lirë Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Veri-Atlantik në Maqedoninë e Veriut.

Bllagoja Zashov, ish diplomat, për Radion Evropa e Lirë vlerëson se aspiratat e Maqedonisë së Veriut si shtet jo rrallëherë kanë mbetur peng i zhvillimeve ndërkombëtare, megjithëse shton se kësaj radhe me gjasë brenda 3 muajve më së shumti Spanja do të formojë qeverinë dhe parlamenti i Spanjës do të ratifikojë protokollin për anëtarësimin e vendit në NATO.

Zashov thotë se e gjithë procedura pret që të përfundojë deri në pranverë kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Mendoj se para zgjedhjeve do të gjendet një zgjidhje dhe Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e NATO-s që në një far mënyre do të jetë kjo një lloj shpërblimi për qeverinë aktuale e cila bëri përpjekje të mëdha që të anëtarësohet vendi në Aleancën Veri-Atlantike”, thekson Zashov.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG