Ndërlidhjet

Gana e ka tërhequr njohjen e Kosovës, raporton AFP


Ilustrim.
Ilustrim.

Gana e ka tërhequr njohjen e Kosovës, bëri të ditur për agjencinë e lajmeve France-Presse (AFP), ministria e Punëve të Jashtme e këtij vendi të Afrikës Perëndimore.

"Qeveria e Ganës ka vendosur të tërheqë njohjen e Kosovën si një shtet i pavarur", i tha zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Ganës, Charles Owiredu, agjencisë AFP.

Arsyet e tërheqjes së njohjes i janë komunikuar edhe Serbisë, tha ai.

"Vendimi për njohjen e Kosovës doli të ishte i nxituar", thuhet në njoftimin e autoriteteve të Ganës.

"Gana e ka marrë parasysh dialogun midis Serbisë dhe Kosovës që synon zgjidhjen e çështjes", është thënë në njoftim.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha të hënën se Gana e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Por, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës përmes një komunikate tha se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me pretendimet e ministrit serb Daçiq për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gana.

“Metodat e mirënjohura dhe të bazuara në shembuj të tjerë që po i përdorë Daçiq me lobuesit e tij me histori të dyshim kriminale, janë në proporcion të zhdrejtë me politiken paqësore rajonale, paqen dhe harmoninë në mes shteteve”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme.

Në vitin 2018, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja, Selma Frences Mancell, e cila është ambasadore jo-rezidente e Ganas në Kosovë, meqë është e vendosur në Turqi.

Më 23 janar, 2012, Gana e njohu Kosovën si shtet të pavarur. Të njëjtin vit, të dy vendet vendosën edhe marrëdhënie diplomatike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG