Minatorët e Kombinatit metalurgjik Trepça në Kosovë të hënën kanë hyrë grevë.
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Gani Osmani nga Sindikata e Punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje. Sipas tij, hyrja në grevë ka ardhur si pasojë e mosmarrjes së pagës së tetorit dhe kushteve jo të mira të punës.
“Minatorët kanë hyrë në grevë. Janë tri pika kryesore apo kërkesa të minatorëve. Pagat të paguhen, është data 11 nëntor dhe ne ende nuk kemi marrë paga, po ashtu minatorët nuk kanë marrë një përqindje të pagave edhe të muajve të kaluar, ushqimi është shumë i dobët, tani e sa muaj minatorët nuk kanë marrë dorëza, çizme të punës”, ka deklaruar Osmani.
Ai tha se greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kushteve të kërkuara.
Minatorë të kombinatit metalurgjik "Trepça" thonë se kjo ndërmarrje është duke kaluar në një fazë të vështirë financiare, edhe si shkak i mosmenaxhimit të duhur.
Trepça është shoqëri aksionare ku 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.
Trepça ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi. Por, që nga paslufta është përballur me probleme të shumta sa që asnjëherë nuk arriti të rimëkëmbet.