Franca do të aplikojë kuota për një numër punëtorësh nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, pas shqetësimeve që kanë lindur për migrimin, azilin dhe integrimin.
“Ne duam të fitojmë sërish kontrollin e politikave tona të migrimit”, ka thënë kryeministri francez, Edouard Philippe.
Në shenjë se qeveria është duke formësuar një qasje më të ashpër ndaj migrimit, Philipe ka thënë se Franca nuk është ishull dhe se marrja e kontrollit do të thotë se kur Franca thotë jo, nënkupton jo dhe kur thotë po do të thotë po.
Ai nuk ka sfiduar hapur rregullat e BE-së për azilin, mirëpo e ka bërë të qartë se migrimi dhe ambienti janë dy çështje që duhet bërë prioritet për institucionet e BE-së.
Qasja në kujdes shëndetësor është thënë se do të ndalet për ata që nuk kanë leje për të jetuar në këtë shtet.
Tendat e migrantëve, që janë shtuar në zonat në verilindje të Parisit, pritet të largohen nga kjo hapësirë në fund të vitit.
Franca është vetëm një nga disa shtetet evropiane që është përballur me fluks të migrantëve që kanë arritur në këtë shtet ilegalisht, andaj qeveria është nën presion për të reaguar nga Marshi Nacionalist, që drejtohet nga Marine Le Pen, me qasje të së djathtës ekstreme.
Përveç Francës, edhe shumë shtete tjera kanë ashpërsuar politikën e tyre ndaj migrantëve, në përgjigje të fluksit me të cilin është përballur blloku evropian më 2015.
Në Greqi është parë një rritje e konsiderueshme e numrit të migrantëve që kanë ardhur nga Turqia dh Ishujt Egje, andaj javën e kaluar parlamenti në Athinë ka miratuar masa të reja me qëllim të përshpejtimit të procedurave të azilit.